Arrestohen 5 të huaj në Dhërmi, kishin ardhur si turistë por shisnin drogë
Pesë shtetas të huaj janë arrestuar në Dhërmi pasi dyshohet se shfrytëzonin pushimet e tyre për të shitur kokainë. Policia zbuloi sasi të konsiderueshme të drogës dhe paratë e fituara nga shitja e saj gjatë kontrollit fizik dhe të ambienteve ku ata ishin akomoduar. Lëndët narkotike të zbuluara përfshinin GHB, poppers, ekstazi, MDMA, kokainë dhe kanabis. Sasia e gjetur u sekuestrua, së bashku me aparate celularë dhe valutë të huaj.
Shtetasit e arrestuar janë një spanjoll, një brazilian, dy argjentinas dhe një italian. Dyshohet se ata kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim shpërndanin drogë në doza, veprim që kryenin kryesisht në lokalitetet e natës dhe aktivitete të argëtimit në zonën bregdetare, për turistët e tjerë gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



