Arrestohen dy të rinj, tentuan të merrnin me forcë në makinë të miturin
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Pogradec, ku një 17-vjeçar ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm nga dy persona, të cilët dyshohet se kanë tentuar ta marrin me forcë në automjetin e tyre.
Sipas burimeve zyrtare, adoleshenti është goditur fizikisht dhe është plagosur me mjet prerës në dorë gjatë përplasjes me autorët e dyshuar, Marjo Xhangolli dhe Aljan Hilaj, të cilët tashmë ndodhen në pranga.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit, ndërsa policia ka ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit për konfliktin, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Gjatë operacionit të koduar “Fast”, shërbimet e policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët ishin larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Ata u ndaluan në bashkëpunim me strukturat e policisë në Prrenjas.
Nga hetimet paraprake rezulton se dy të arrestuarit kanë tentuar të rrëmbejnë 17-vjeçarin pas një konflikti për motive të dobëta, duke ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe duke e plagosur me thikë në dorë.
Fatmirësisht, i mituri ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në përfundim të veprimeve, policia arrestoi në flagrancë dy shtetasit, 33 dhe 32 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” e mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, të kryera në bashkëpunim. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçë për vijimin e hetimeve.
NJOFTIMI I POLICISE
Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.
Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



