Ben Blushi befason me kopertinën e romanit të ri: Një zhgarravinë u kthye në art!
Shkrimtari Ben Blushi ka ndarë me ndjekësit historinë e veçantë që fshihet pas kopertinës së romanit të tij më të ri, “Historitë e Çmendura të Tiranës”. Ajo që fillimisht ishte një shënim i zakonshëm mbi dorëshkrim, i bërë me një laps të vjetër të kuq, përfundoi duke u shndërruar në imazhin që do të prezantojë librin për lexuesit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi ka rrëfyer se këtë herë procesi i përzgjedhjes së kopertinës mori një drejtim krejt të papritur. Edhe pse kishte përgatitur më shumë se pesë variante të ndryshme, asnjëri prej tyre nuk rezultoi të ishte zgjedhja përfundimtare.
Madje, në Tiranë kishte nisur të qarkullonte edhe një version paraprak i romanit, të cilin shkrimtari ua kishte dhënë disa miqve për ta lexuar. Megjithatë, ai u kishte kërkuar që të mos e shpërndanin, pasi kopertina që mbanin në duar nuk do të ishte ajo e botimit përfundimtar.
Ideja që do të përcaktonte pamjen e librit lindi në momentin kur Blushi po përgatiste një postim për rrjetet sociale. Për të shoqëruar njoftimin, ai shkroi titullin e romanit drejtpërdrejt mbi dorëshkrim, duke përdorur një laps të kuq që e kishte prej vitesh në tavolinën e punës.
Për shkak se lapsi nuk shkruante siç duhej, rezultati ishte larg një shkrimi të rregullt. Shkronjat dilnin të paplota, emri i autorit dukej sikur ishte shkruar me përtesë dhe i gjithë shënimi kishte një pamje të çrregullt.
Por pikërisht kjo papërsosmëri u kthye në pikën më tërheqëse të kopertinës.
Blushi tregon se reagimet e njerëzve që e panë atë vizatim, përfshirë edhe botuesit, ishin të njëjta: shkrimi duhej të mbetej ashtu siç ishte. Kështu, pa një konceptim të posaçëm grafik dhe pa ndonjë plan paraprak, një zhgarravinë e bërë rastësisht u përzgjodh për të përfaqësuar romanin.
Në rrëfimin e tij, shkrimtari ndalet edhe te rëndësia që ka kopertina në prezantimin e një vepre letrare. Sipas tij, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në interesin e lexuesve, madje ndonjëherë mund të bëhet vendimtare për suksesin tregtar të një libri.
Ai pranon se zakonisht i kushton vëmendje të veçantë kopertinave të veprave të tij dhe se idetë për to i zhvillon paralelisht me procesin e shkrimit. Këtë herë, megjithatë, vendimi erdhi në një mënyrë që nuk e kishte përjetuar më parë.
“Historitë e Çmendura të Tiranës” do të mbërrijë kështu te lexuesit me një kopertinë që nuk ishte projektuar fillimisht për këtë qëllim, por që fitoi miratimin pikërisht për shkak të karakterit të saj spontan dhe të pazakontë.
Blushi e mbyll rrëfimin me një vërejtje ironike, duke lënë të kuptohet se kjo histori e vogël e krijimit të kopertinës mund ta bëjë romanin edhe më të çmendur se vetë titulli.

Postimi i Ben Blushit:
Nganjëherë kopertina është pjesa më e vështirë e librit. Mund të kesh një libër shumë të mirë, por nëse ke një kopertinë të keqe, libri nuk shitet.
Ose mund të ndodhë e kundërta.
Kopertina apo cover siç thuhet, mund të shesë një libër të dobët.
Shkrimtarët janë besëtytë.
Ka nga ata që besojnë se nëse kopertina nuk i ndihmon, të paktën të mos i zbojë lexuesit me shëmtinë e saj.
Unë merrem shumë me kopertinat e librave të mi, të cilat i konceptoj gjatë kohës që shkruaj.
Për romanin e ri Historitë e Çmendura të Tiranës kam bërë më shumë se pesë variante, madje në Tiranë qarkullon një version provizor që po e lexojnë disa miq.
U jam lutur të mos e shpërndajnë pasi kopertina përfundimtare nuk është ajo që ata kanë në duar.
Kopertina e Historive të Çmendura të Tiranës lindi fare rastësisht, madje pasi libri po bëhej gati të shkonte në shtypshkronjën Onufri.
Duke dashur të postoj një lajm në rrjetet e mia sociale, unë shkrova mbi dorëshkrimin e librit titullin me një laps të kuq, i cili për hir të së vërtetës ka shumë vjet në tavolinën time dhe nuk punonte mirë.
Për këtë shkak, por edhe se unë kam kohë që nuk përdor ngjyra të kuqe, shkrimi ishte pak kaotik.
Emri im ishte shkruar si me përtesë dhe shumë germa dukeshin të paplota.
Shkrimi im i dorës është gjithmonë i keq, asnjëherë një ‘n’ nuk i ngjan tjetrës dhe germat ‘m’, ‘g’, ‘a’, ‘sh’ dhe ‘r’, dalin përherë të shtypura apo duken sikur nuk janë ato.
Megjithatë, kur nuk e prisja, të gjithë njerëzit që e panë vizatimin tim shkatarraq, përfshi botuesit, më kërkuan që kopertina të ishte pikërisht ashtu.
Një shkrim i çrregullt dore.
Dhe kështu mbeti.
Një zhgarravinë e bukur pa asnjë pretendim u kthye në kopertinën e një romani, çka nuk më kishte ndodhur kurrë.
Ndoshta ky detaj e bën Historinë e Çmendur të Tiranës edhe më të çmendur se ç’është.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



