Arrestohet 43-vjeçari, i gjenden kallashnikovë dhe municion luftarak
Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje, në kuadër të kontrolleve të shtuara për rritjen e sigurisë publike. Në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, uniformat blu finalizuan operacionin e koduar “No Guns 2”, i mbështetur mbi informacione të siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i këtij aksioni, u vu në pranga një 43-vjeçar nga fshati Levan, i dyshuar për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë zbuluan dhe sekuestruan dy armë zjarri të tipit kallashnikov, së bashku me një sasi municioni luftarak, të cilat mbaheshin pa autorizimin përkatës ligjor.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për vijimin e hetimeve mbi veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



