Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes në Pogradec
Policia ka vënë në pranga Nikolla Agollin, i identifikuar si autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të një 35-vjeçari në Pogradec. Arrestimi i tij u realizua në qytetin e Prrenjasit, pas një operacioni të koordinuar mes strukturave të policisë vendore dhe Drejtorisë së Policisë Elbasan.
Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë kontrollet në një zonë pranë liqenit të Pogradecit, ku dyshohet se autori mund të ketë hedhur armën e përdorur në krim.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 në lagjen nr. 3 të qytetit. Dyshohet se, pas një konflikti mes palëve, Nikolla Agolli ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Brian Syzos, rreth 35 vjeç.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spitalin e Pogradecit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake hedhin dritë mbi një konflikt të mëhershëm mes personave të përfshirë. Sipas të dhënave, në janar të vitit 2025, Nikolla Agolli kishte mbetur i plagosur në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit, pas një përplasjeje me Sindi Syzon, vëllain e të plagosurit aktual. Ky episod i mëparshëm forcon dyshimet se ngjarja e fundit mund të jetë vijimësi e një konflikti të hapur mes palëve.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të çështjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



