Përplasi 7-vjeçarin në Elbasan, arrestohet regjisori Petri Bozo
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin mëngjesin e së hënës, ku një aksident rrugor i ka marrë jetën një fëmije 7-vjeçar. Pas ngjarjes, në pranga është vënë regjisori Petri Bozo, i cili drejtonte automjetin e përfshirë në aksident.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 në aksin nacional “Elbasan–Librazhd”, në fshatin Mengël, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”. Sipas informacioneve paraprake, automjeti i drejtuar nga Bozo ka përplasur të miturin, i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në dëshminë e tij në polici, Bozo ka pretenduar se nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, ndërkohë që autoritetet kanë dyshime se shpejtësia mund të ketë qenë një faktor në aksident. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se fëmija kishte shoqëruar motrën e tij në shkollë së bashku me nënën, pasi vetë e zhvillonte mësimin në turnin e pasdites. Pas lënies së vajzës në ambientet e shkollës, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë zonës.
Dyshohet se në një moment, 7-vjeçari është shkëputur nga dora e së ëmës dhe ka hyrë në rrugë, ku është përplasur nga automjeti. Dinamika e plotë e aksidentit mbetet ende e paqartë, ndërsa policia pritet të dalë me një version zyrtar pas përfundimit të hetimeve.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë rrugore, veçanërisht në zonat pranë shkollave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



