Arrestohet ish-kandidati i PS dhe ish-drejtori i Kadastrës Dibër
Ish-kandidati i Partisë Socialiste për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe ish-drejtuesi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, është arrestuar mbrëmjen e së martës nga Policia e Shtetit.
Sipas autoriteteve, Gjura ishte shpallur në kërkim pasi ndaj tij Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, nën dyshimet për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, të kryera në bashkëpunim.
Arrestimi lidhet me një hetim mbi një skemë të dyshuar të tjetërsimit të paligjshëm të pronave në qarkun e Dibrës. Operacioni policor për këtë çështje u zhvillua më 17 qershor, pas një hetimi që zgjati rreth shtatë muaj.
Gjatë atij aksioni u ekzekutuan 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si edhe ndaj personave të tjerë të dyshuar se kanë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve dhe procedurat e paligjshme të regjistrimit të pronave.
Sipas dosjes hetimore, punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës Dibër dyshohet se kanë bashkëpunuar me një notere dhe persona të tjerë për të falsifikuar dokumente zyrtare dhe për të kryer veprime administrative në kundërshtim me ligjin, me qëllim kalimin e pronave në favor të shtetasit me iniciale T.D. dhe familjarëve të tij.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pas arrestimit, Daniel Gjura është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rolin dhe përgjegjësinë e tij në këtë çështje.
Gjura ka mbajtur më herët detyrën e drejtorit të Kadastrës Dibër dhe ishte gjithashtu kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet për skemën e dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave janë ende në zhvillim, ndërsa priten veprime të tjera procedurale dhe vendimmarrje nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



