E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet në Londër i shumëkërkuari nga SPAK për rrëmbimin e Jan Prengës
Bota

Arrestohet në Londër i shumëkërkuari nga SPAK për rrëmbimin e Jan Prengës

Një shqiptar i shpallur në kërkim nga SPAK, i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, është lokalizuar dhe arrestuar në Londër me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Operacioni është realizuar nga Interpol Tirana dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA).

Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve “Westminster Magistrates’ Court”, të bëra publike nga gazetari Muhamed Veliu, personi i arrestuar është Korado Gështënja, 35 vjeç. Në Britani, ai dyshohet se ka përdorur edhe mbiemrin Kështenja dhe identitetin e rremë James Martin.

Gështënja kërkohet nga autoritetet shqiptare në bazë të një urdhër-arresti të SPAK, të miratuar nga GJKKO. Në procesin e ekstradimit, ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A.

Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në seancën gjyqësore ka deklaruar se më 17 janar 2020, ose rreth kësaj date, Gështënja dyshohet se ka privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij.

Gjithashtu, autoritetet britanike janë informuar se ai dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për importimin dhe eksportimin e kokainës nga Ekuadori, në kundërshtim me ligjin.

Korado Gështënja aktualisht mbahet në paraburgim në Londër, ndërsa seanca e radhës për çështjen e ekstradimit është caktuar më 2 shtator 2026, në orën 10:00.

Roli i dyshuar në rrëmbimin e Jan Prengës

Sipas hetimeve të SPAK, Gështënja dyshohet se ka qenë pjesë e grupit që ka vëzhguar dhe më pas ka marrë pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës.

Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës më 17 janar 2020 dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku është parë për herë të fundit.

Sipas hetimeve, ai është mbajtur peng dhe torturuar, ndërsa trupi i Jan Prengës nuk është gjetur ende.

Prokuroria ka arritur në përfundimin se rrëmbimi dyshohet se ishte porositur si akt hakmarrjeje pas humbjes së një sasie droge në Angli, ku ishte i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

Në dosjen hetimore është lakuar edhe emri i Dritan Rexhepit, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.

Ndërkohë, arrestimi i Gështënjës në Britani pritet t’u japë autoriteteve shqiptare mundësinë për të çuar përpara procedurat e ekstradimit dhe për të marrë një tjetër person të kërkuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e Jan Prengës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.