Policia ka vënë në pranga një person, i cili dyshohet si njëri nga autorët që ekzekutuan efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Shkodër, Xhulio Prela.
Bëhet me dije se në pranga ka rënë Nikoll Sherrniku, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi B.M.
“Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh. dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”,” njofton policia.
Personat në fjalë kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xhulio Prela pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet vrasja e punonjësit të Policisë XH.P, ndodhur më 05.12.2020 ,në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush.
Grupi i posaçëm hetimor pas një pune intensive, profesionale dhe hetimore bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku mbi bazën e provave të grumbulluara u identifikuan dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Mbasditen e djeshme, Policia vuri në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vrasjes si dhe shpalli në kërkim bashkëautorin tjetër.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Milot, në fshatin Gajush, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.P.,punonjës i FNSH-së Shkodër, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit N.Sh.dhe B.M.
Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit N.Sh. dhe në përfundim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur për autorët e dyshuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkëautori tjetër shtetasi B.M, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intesive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e latpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xh.P, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit si dhe vijon kontrollin për gjetjen e armës së krimit.
Dinamika e ngjarjes:
Mëngjesin e 5 dhjetorit, rreth orës 02.00, Xhulio po kthehej nga Lezha drejt Tiranës. Efektivi i FNSH në autostradën Lezhë-Milot, është përballur me një person i cili i ka bërë shenjë me elektrik dore që të ndalonte. Nuk dihet deri tani nëse ky person ishte i njohur për 26 vjeçarin, por nga burimet thuhet se Xhulio ka ndaluar dhe ka debatuar me këtë person.
Këtë e kanë konfirmuar dhe hetuesit, të cilët në vendngjarje kanë parë se xhami i shoferit ishte i ulur, çka tregon se viktima ka ndaluar dhe ka folur me personin që i ka bërë shenjë. Teksa debatonte me këtë person, pranë makinës me të cilën Xhulio Prela udhëtonte është afruar një mjet tjetër.
Sapo është afruar pranë makinës ku ndodhej Xhulio, nga mjeti tjetër është hapur zjarr me një pistoletë TT. Aty efektivi i FNSH ka tentuar të largohet por në lëvizje e sipër një nga tre plumbat e shkrepur e ka marrë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas disa metrash makina me të cilën ai udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Personat që e kanë ndaluar Xhulio Prelën në mes të rrugës dyshohet se nuk kanë qenë të rastësishëm, por atentati i tij ka qenë i mirëmenduar sepse autorët kanë studiuar çdo lëvizje të tij. Xhulio Prela ishte pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt të Shkodrës, por ndërkohë vazhdonte dhe studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e 3-të.



