E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet ‘truri’ i call center-it mashtrues bashkë me policin ‘mbrojtës’
Lajme

Arrestohet ‘truri’ i call center-it mashtrues bashkë me policin ‘mbrojtës’

Zbulohet roli i një gruaje në skemë

Një operacion i gjerë kundër call center-ave mashtrues ka çuar në goditjen e një rrjeti të strukturuar kriminal në Tiranë, i cili dyshohet se synonte mashtrimin e qytetarëve të huaj përmes skemave të sofistikuara financiare.

Aksioni është zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Kontrollet janë ushtruar në disa ambiente në kryeqytet, përfshirë edhe një call center që operonte pranë gjimnazit “Sami Frashëri”.

Hetimet, të cilat kanë zgjatur për disa muaj, janë nxitur nga informacione të ardhura nga autoritetet franceze, duke hedhur dritë mbi një aktivitet të mirëorganizuar me shtrirje ndërkombëtare.

Në pranga ka përfunduar pronari i aktivitetit, Gentjan Pjetërgjokaj, i dyshuar për mashtrim me pasoja të rënda. Sipas burimeve hetimore, ai fshihej pas kompanisë “IVISION.AL” sh.p.k., ndërsa në dokumentacion administratore figuron Anisa Muçollari.

Gjatë operacionit është ndaluar edhe një efektiv policie, August Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1. Në banesën e tij janë kryer kontrolle dhe i është sekuestruar telefoni celular, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse ai ka pasur rol apo ka ofruar mbështetje për këtë aktivitet kriminal.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që goditen rrjete të tilla mashtrimi në Tiranë. Më herët, një tjetër operacion çoi në zbulimin e tre call center-ave dhe arrestimin e disa personave, në një çështje që kishte nisur nga hetimet e autoriteteve austriake dhe ku dëmi i dyshuar kapte vlerën mbi 50 milionë euro.

Një tjetër bazë e ngjashme u zbulua edhe në fshatin Bërzhitë, e maskuar si biznes turizmi mjekësor, por që në realitet përdorej për aktivitete mashtruese.

Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të zbardhur lidhjet ndërkombëtare të këtij rrjeti kriminal, i cili dyshohet se ka operuar për një kohë të gjatë duke përfituar shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.