Arrrestimi i Bujar Sefës, propagandës së Prodës i çirret maska
Policia e Shtetit e paraqiti si një tjetër sukses të saj arrestimin e Bujar Sefës në Dubai, duke e përfshirë rastin në kuadrin e operacionit të koduar “The Wanted”. Në komunikimin zyrtar u theksua bashkëpunimi ndërkombëtar dhe u krijua përshtypja se strukturat shqiptare kishin luajtur rolin kyç në kapjen e të kërkuarit.
Por faktet tregojnë një realitet tjetër.
Operacioni është konceptuar, ndjekur dhe finalizuar nga policia italiane, konkretisht nga strukturat e Venecias, ku Sefa rezulton i dënuar me vendim përfundimtar për trafik droge. Ai ishte në kërkim nga autoritetet italiane, të cilat prej kohësh kishin identifikuar vendndodhjen e tij dhe kishin ndërtuar strategjinë për arrestimin.
Sipas mediave italiane, mes tyre edhe “Il Gazzettino”, hetuesit kishin vënë nën vëzhgim familjarët e tij. Lëvizja e bashkëshortes drejt Dubait, pavarësisht se shtatzënë, u konsiderua momenti i duhur për të vepruar. Pikërisht ky detaj çoi në lokalizimin e saktë të vendit ku Sefa fshihej dhe në ekzekutimin e urdhrit të arrestit.
Ndryshe nga sa u la të kuptohej në njoftimin zyrtar në Tiranë, policia shqiptare nuk përmendi asnjëherë rolin udhëheqës të autoriteteve italiane, duke e anashkaluar faktin se kërkimi dhe dënimi i Sefës lidhen drejtpërdrejt me drejtësinë italiane.
Bujar Sefa, 39 vjeç, ka jetuar për vite me radhë në zonën e Noales, në provincën e Venecias, dhe konsiderohet një figurë kyçe në një organizatë kriminale që ka trafikuar dhjetëra kilogramë kokainë në rajonet e Venecias dhe Trevisos. Droga vinte kryesisht nga Holanda dhe Shqipëria dhe shpërndahej përmes rrjeteve të mirëorganizuara kriminale.
Ai është dënuar në total me mbi 10 vite burg në tre procese të ndryshme penale në Itali, përfshirë Venecian, Bolonjën dhe Padovën. Një pjesë të dënimit e ka vuajtur në paraburgim, ndërsa pjesën tjetër e shmangu duke u fshehur jashtë vendit.
Kreu i policisë së Venecias, Eugenio Masino, konfirmoi se arrestimi u bë pas një pune të gjatë hetimore dhe koordinimi ndërkombëtar, ku Italia kishte përgatitur të gjithë dokumentacionin ligjor për arrestin provizor. Ai theksoi se bashkëpunimi me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ato shqiptare ishte teknik dhe mbështetës, por drejtimi i operacionit mbeti italian.
Rasti i Sefës vjen si një tjetër shembull i rolit dominues që grupet shqiptare kanë marrë në trafikun ndërkombëtar të drogës, një fenomen që autoritetet italiane e konsiderojnë prioritet absolut për goditje.
Ndërkohë, në Shqipëri, arrestimi u përdor për konsum propagandistik, duke u shitur si sukses kombëtar, pa u sqaruar publikisht se kush e drejtoi realisht operacionin dhe kush e kërkonte prej vitesh personin e arrestuar.
“Herët a më vonë, i kapim të gjithë” është motoja e policisë italiane të Shtetit dhe, siç dëshmon ky rast, kjo është më shumë se një slogan. Jetesa në arrati bëhet çdo ditë më e vështirë për të kërkuarit e drejtësisë, edhe kur ata strehohen jashtë vendit. Bashkëpunimi mes policive ndërkombëtare, teknologjitë e avancuara dhe këmbëngulja e hetuesve për të çuar deri në fund misionin e tyre kanë dhënë rezultat: Bujar Sefa, 39 vjeç, shqiptar me banim të gjatë në Noale (provinca e Venecias), është arrestuar në Dubai, aty ku kishte ndërtuar një “mërgim të artë”.
Sefa ishte dënuar në total me 10 vjet e 2 muaj burg për trafik ndërkombëtar të drogës, nga të cilat kishte vuajtur 2 vjet e 10 muaj në paraburgim gjatë vitit 2018. Ai nuk ishte një figurë e rëndomtë e botës së krimit, por një bos i vërtetë i një organizate që, në dekadën e dytë të viteve 2000, kishte përmbytur provincat italiane të Venecias dhe Trevisos me dhjetëra kilogramë kokainë, kryesisht në zonat Mestre, Scorzè, Noventa di Piave, Jesolo dhe më gjerë. Droga vinte nga Holanda dhe Shqipëria, dhe shpërndahej në rrjete të sofistikuara të kontrolluara nga struktura kriminale ku Sefa kishte rol drejtues.
Arrestimi
Ai u arrestua falë një gabimi fatal: bashkëshortja e tij, shtatzënë me fëmijën e tyre, udhëtoi drejt Dubait për të kaluar pushimet e fundvitit së bashku me të. Policia e Venecias prej kohësh kishte informacion mbi vendndodhjen e tij dhe mbante nën vëzhgim të afërmit e ngushtë, në pritje të një lëvizjeje të tillë. Me një koordinim të ngushtë mes Shërbimit Qendror Operativ të Romës (SCO), policisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe, operacioni u finalizua.
Kreu i policisë së Venecias, Eugenio Masino, u njoftua në orën pesë të mëngjesit për ekzekutimin e urdhrit të arrestit, të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Venecias, për një dënim përfundimtar prej 7 vjet, 3 muaj dhe 10 ditë burg. “E kishim prej kohësh të qartë ku ndodhej Sefa, por sfida ishte ta finalizonim arrestimin. Nga pala italiane kishim gjithçka të përgatitur: kërkesën ndërkombëtare dhe autorizimin për arrest provizor. Falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet emiratase dhe shqiptare, arritëm ta konkretizonim gjithçka në kohë”, shpjegoi Masino.
Ai shtoi se deri në momentin e fundit ekzistonte dyshimi se gruaja e tij nuk do ta përballonte udhëtimin për shkak të shtatzënisë dhe që çifti mund të takohej në Shqipëri apo në ndonjë vend të tretë. “Por ne ishim të përgatitur për çdo eventualitet,” theksoi Masino.
Që kur ka marrë drejtimin e ekipit hetimor të Venecias rreth një vit e gjysmë më parë, Masino e ka kthyer në prioritet identifikimin dhe arrestimin e figurave të rënda në arrati. “Para disa muajsh arrestuam një tjetër në Zvicër. Sot, narkotrafiku është i dominuar nga grupe shqiptare, të cilët kanë ndërtuar struktura që garojnë seriozisht me krimin e organizuar italian. Ata janë kthyer në ‘primula rossa’ të krimit ndërkombëtar”, tha ai.
Dënimet
Dënimi përfundimtar i Bujar Sefës vjen nga tre procese të ndryshme penale, në të cilat ai ishte i mbrojtur nga avokati Fabio Crea. Në Venecia u dënua në shkallën e parë me 12 vjet e 9 muaj, dënim që iu ul në 5 vjet e 4 muaj. Në Bolonjë, u dënua me 3 vjet e 4 muaj, që u bashkua me dënimin në Venecia për një total prej 5 vjet e 10 muaj. Ndërkohë, në Padova ishte dënuar edhe për një rast dhune me 1 vit e 6 muaj burg.
Arrestimi i Sefës është përshëndetur publikisht nga presidenti i rajonit, Alberto Stefani, i cili e cilësoi trafikimin e drogës si një plagë që helmon qytetet dhe fuqizon krimin e organizuar. “Faleminderit Policisë së Shtetit, Njësisë Operative Qendrore, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe autoriteteve të Emirateve. Ky është një rezultat që tregon se krimi nuk ka strehë të sigurt askund”, deklaroi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



