E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arsimi i Lartë në Shqipëri: Një vit Akademik i ri, po të njëjtat probleme të vjetra
Lajme

Arsimi i Lartë në Shqipëri: Një vit Akademik i ri, po të njëjtat probleme të vjetra

Naim Noka

Sot nis viti i ri akademik në universitetet shqiptare, për mbi 20 mijë studentë që fillojnë rrugëtimin e tyre drejt dijes. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, përmes një videoje të shpërndarë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i uron suksese studentëve, stafit akademik dhe prindërve. Por pas këtij urimi, fshihet një realitet i zymtë: arsimi i lartë në Shqipëri është në gjendje të mjerueshme.

Çfarë është e re këtë vit? Pak, nëse jo asgjë. Problemet janë po ato të viteve të kaluara. Universitetet shqiptare vuajnë nga një mungesë kronike e investimeve, një staf akademik i nënvlerësuar dhe i mbingarkuar, si dhe një infrastrukturë që lë për të dëshiruar. Për të mos përmendur, sistemi arsimor në tërësi po përballet me një rënie të vazhdueshme të cilësisë së arsimit, dhe askush nuk duket i gatshëm të ndërmarrë reformat e thella të nevojshme për ta ndryshuar këtë realitet.

Një nga problemet kryesore është mungesa e reformave të thella në programet mësimore. Edhe pse teknologjia dhe shkencat po përparojnë me hapa gjigantë në mbarë botën, studentët shqiptarë ende përballen me programe të stërvjetrura dhe mungesë laboratorësh modernë për t’u përgatitur për tregun e punës të së ardhmes. Ndërkohë që universitetet në Evropë dhe më tej po përshtaten me inovacionet teknologjike dhe po bashkëpunojnë ngushtë me industrinë, studentët shqiptarë shpesh mbeten të izoluar nga zhvillimet globale.

Po ashtu, politika e qeverisë për të rritur aksesin në arsimin e lartë, edhe pse në teori një objektiv i vlefshëm, ka krijuar një inflacion të diplomave, duke ulur vlerën e tyre në tregun e punës. Universitetet private, shpesh ofrojnë diploma me cilësi të ulët për përfitime të shpejta financiare,  ndërsa universitetet publike luftojnë për të mbajtur standarde bazike për shkak të mungesës së fondeve dhe të mbështetjes.

Shpeshherë, qeveria përpiqet të maskojë gjendjen reale me retorikë propagandistike. Nga njëra anë, promovohen projekte infrastrukturore apo “iniciativa digjitale,” por nga ana tjetër, studentët përballen çdo ditë me mungesa themelore, nga librat deri te uji i pijshëm në ambiente universitare.

Një tjetër plagë e madhe është mungesa e meritokracisë në rekrutimin e stafit akademik dhe menaxhimin e institucioneve arsimore. Në vend që të inkurajohen studiues të rinj dhe të aftë, shpesh zgjedhjet bëhen në bazë të lidhjeve politike apo familjare, duke lënë talentet jashtë skenës akademike. Kjo e përkeqëson cilësinë e mësimdhënies dhe e largon universitetin shqiptar nga standardet ndërkombëtare.

Me gjithë premtimet për përmirësim, studentët dhe stafi akademik janë dëshmitarë të një gjendjeje të përkeqësuar që vit pas viti po largohet nga standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Çdo vit akademik i ri sjell të njëjtën pyetje : a do të bëhet ndonjëherë arsimi i lartë në Shqipëri prioritet i vërtetë i qeverisë?

Përgjigjja, për fat të keq, deri më sot ka qenë një JO e madhe.

Ndërsa ministrja  për forcë  zakoni sot  uron suksese për vitin akademik, asgjë konkrete  nuk do të ketë edhe këtë vit në sistemin universitar. Pa reformat e nevojshme, arsimi i lartë në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një tjetër fushë e braktisur, një tjetër humbje e shpresës për një brez të ri që kërkon të arrijë potencialin e tij, por përballet me një sistem që e pengon në çdo hap.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.