E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Artan Fuga: Në këto ditë epidemie botërore që vetëm Shqipërinë nuk e prek
Publik News

Artan Fuga: Në këto ditë epidemie botërore që vetëm Shqipërinë nuk e prek

Për një studim, më duhet të njihem me dokumente të vjetër lidhur me filozofinë e trupit. E në këtë kuadër ndjek me kujdes lojërat që bëheshin aty nga shekulli i 15 -të. Edhe një lloj loje me top, por shumë të ashpër, me përplasje trupore.

Kot ashtu mu kujtua në këto ditë epidemie në botë – që vetëm Shqipërinë nuk e prek – fjalori për topin që luanim në vegjëli:

1. Frujtje kapertoni – kapërtoni me prej lëkure që mbështillte komardaren ishte holluar nga fërkimi me tokën dhe rrezikonte të grisej. Loja vazhdonte por duhej bërë kujdes sepse kapertoni mund të çahej prandaj nuk duhej me gjuajtur fort.

2. Shqepje kapertoni – kur spangua që mbante lidhur llokmat e lëkurës të kapërtonit ishte këputur në një ose disa vende dhe llokmat ishin shkëputur duke lënë të shfaqej komardarja e pambrojtur nga kapërtoni. Në këtë rast me pak rrisk mund të vazhdonte loja me kusht që ndonjë gjemb të mos çante komardaren. Sapo të mbaronte loja kapertoni duhej qepur.

3. Çarje kapertoni – kur jo spangot që lidhnin llokmat, por vetë kopertoni ishte çarë. Dëmi ishte serioz sepse mund të rritej e çara dhe mbi të gjitha nuk qepej më. Në këto raste loja vazhdonte derisa të çpohej kamerdarja

4. Këputje e llapës të kapertonit – kur te lidhset e kopertonit, kishte një llapë që mbronte komardaren nga presioni mbi të i lidheseve të kopertonit. Loja mund të vazhdonte me pak rrisk, por llapa duhej qepur para sesa të fillonte loja tjetër.

5. Çpim komardareje kur komardarja poshtë kopertonit merrte ndonjë gastar a ndonjë gjemb dhe shpohej. Loja ndërpritej dhe në rastin më të mirë ngjitej shpejt me pulla zjarmi sikurse i thoshim.

6.Carje komardareje kur komardarja shqyhej, çahej, dhe nuk kishte zot t’i bënte derman. Loja ndërpritej dhe kërkohej p¨zer ndonjë ditë tjetër një kamardare e re.

7. Skopje kamardareje – kur nga kapertoni i çarë a i shqepur dilte jashtë një pjesë e kamerdares rozë poshtë tij. Në këtë rast loja duhej ndërprerë menjëherë, por ndodhte edhe që vazhdonte derisa kamardarja të shpërthente.

8. Çarje pipthi. Loja ndërpritej menjëherë ose nuk fillonte fare sepse në këtë rast ishte ç’puar ose çarë gryka e kamerdares që nuk i bëhej derman.

Kjo ishte fjala më e rëndë, diagnoza më e rëndë : Çarje pipthi! Kishte edhe sharje për ndonjë budalla: Atij i është çarë pipthi! Pra që nuk bëhej më!

Nuk e di në lojën tonë ku jemi!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.