Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori i njohur i humorit nga Vlorë, Mane Lumani, një nga figurat më të dashura të skenës humoristike shqiptare. Ai njihej gjerësisht si një nga anëtarët kryesorë të grupit të famshëm 4 Parodistët e Vlorës, që për dekada solli humor dhe satirë në skenat shqiptare.
Lumani la pas një kontribut të rëndësishëm në artin skenik dhe në historinë e humorit shqiptar, duke u kujtuar nga publiku për interpretimet plot finesë dhe aftësinë për të sjellë të qeshura me një stil unik.
Prej vitit 2004, aktori nuk fliste më për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale në fyt, gjatë së cilës iu hoqën kordat e zërit pas zbulimit të një mase tumorale. Pavarësisht kësaj sfide të rëndë shëndetësore, figura e tij mbeti gjithmonë e dashur për publikun dhe komunitetin artistik.
Karrierën artistike Mane Lumani e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës, ku shpejt spikati për talentin e tij të veçantë në humor dhe për aftësinë për të imituar personazhe të ndryshëm. Pikërisht kjo aftësi e bëri atë një nga figurat më të dalluara të humorit skenik.

Një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik ishte krijimi i grupit 4 Parodistët e Vlorës, ku ai interpretoi përkrah artistëve të njohur si Agron Hoxha, Afrim Agalliu dhe më vonë edhe Muhamet Lika. Së bashku, ata krijuan një stil të veçantë humori që u kthye në një ikonë të artit shqiptar.
Paroditë e këtij grupi u karakterizuan nga satira e mprehtë dhe ironia ndaj realitetit shoqëror e politik të kohës. Humori i tyre nuk ishte vetëm argëtues, por edhe një mënyrë për të reflektuar mbi jetën dhe zhvillimet e shoqërisë.
Mane Lumani do të mbetet një figurë e paharruar në kulturën shqiptare. Me talentin dhe përkushtimin e tij, ai arriti të sjellë buzëqeshje në çdo skenë ku interpretoi dhe të lërë një trashëgimi të çmuar në historinë e humorit shqiptar.







