“Asnjë lëvizje”, si u godit rrjeti i Call Center-ave në zemër të Tiranës
“Policia, askush të mos lëvizë, duart mbi tavolinë.” Me këtë skenë dramatike hapet emisioni i radhës i Le Iene, i cili hedh dritë mbi një operacion të përbashkët mes antimafias italiane dhe SPAK, të zhvilluar në një call center në qendër të Tiranës, i dyshuar për mashtrimin e mijëra qytetarëve nga vendet e Bashkimit Europian.
Përmes një bashkëpunëtori të infiltruar, gazetarët italianë arritën të depërtonin në brendësi të rrjetit, duke dokumentuar nga afër skemën e mashtrimit financiar. Sipas investigimit, viktimat – kryesisht shtetas italianë – bindeshin të investonin në tregje financiare, me shuma që në disa raste shkonin deri në 100 mijë euro.
Sipas të dhënave të publikuara, organizata dyshohet se gjeneronte të ardhura marramendëse, nga 20 deri në 30 milionë euro në muaj, përmes një rrjeti të koordinuar qendrash thirrjesh në disa vende të Europës, me bazë operative në Shqipëri.
Gjatë operacionit, teksa një prej personave shoqërohej nga policia, efektivët dëgjohen të thonë: “Loja mbaroi”. Megjithatë, drejtuesit e call center-it dyshohet se arritën të largoheshin përpara mbërritjes së hetuesve, duke shmangur arrestimin.
Pamjet e operacionit u transmetuan mbrëmjen e djeshme nga media italiane dhe ngjallën interes të madh edhe në Shqipëri, për shkak se aksioni u zhvillua në të njëjtën godinë ku ndodhen edhe zyrat e Ambasadës së Izraelit. Në video shfaqet edhe një moment tensioni mes hetuesve dhe një punonjësi të sigurisë së ambasadës.
Surpriza më e madhe për ekipet hetimore erdhi në momentin e hyrjes në zyra, ku u konstatua se një pjesë e konsiderueshme e provave ishin zhdukur. Për këtë arsye, hetimet janë zgjeruar edhe për dyshime mbi dekonspirimin e aksionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



