E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Rinas, Artan Hoxha: I njoh kush janë, vranë Brilant Martinajn
Flash

Atentati në Rinas, Artan Hoxha: I njoh kush janë, vranë Brilant Martinajn

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar detaje të reja rreth atentatit të ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Mustafa (Muçi) Sheqeri.

Sipas tij, ngjarja është pjesë e një zinxhiri ekzekutimesh të kryera nga një grup tepër i organizuar, që vepron në mënyrë profesionale dhe pothuajse të pakapshme për agjencitë ligjzbatuese.

“Një skuadër pushkatimi që nuk gabon kurrë”

Në një intervistë televizive, Hoxha deklaroi se skuadra që kreu atentatin është e njohur për “efikasitetin” e saj dhe për mënyrën e saktë të realizimit të vrasjeve.

“Kjo është një ngjarje me shumë mesazhe. Nuk është zgjedhur rastësisht ai vend. Prej kohësh kam folur për një skuadër pushkatimi, e cila del shumë rrallë në aktivitet, por sa herë del, rendimenti i saj është 100%. Për fat të keq, nuk është e mundur të kapej nga agjencitë tona. Është një grup i frikshëm që ka kryer atentate jashtëzakonisht të organizuara,” u shpreh Hoxha.

Lidhja me ekzekutimin e Brilant Martinajt

Gazetari kujtoi se kishte publikuar më parë foto dhe emra të anëtarëve të këtij grupi, të cilët, sipas tij, qëndrojnë pas disa atentateve të bujshme në vend.

“E kam thënë edhe më herët, është e njëjta skuadër që ka vepruar në Durrës, në Fushë-Krujë… Kujtoni atentatin ku u vra Brilant Martinaj. Është i njëjti grup. Ata përdorin shpesh veshje policie, për t’u kamufluar, por nuk janë ushtarakë,” tha ndër të tjera Hoxha në Euronews.

Hetimet në fokus

Ngjarja e Rinasit ka tronditur opinionin publik për shkak të mënyrës se si u organizua atentati dhe për faktin që ndodhi pranë një zone me masa të larta sigurie. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë pistat e mundshme, ndërsa burime brenda policisë bëjnë me dije se po verifikohen të gjitha lëvizjet e personave të dyshuar në ditët para ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.