E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Rinas me 2 viktima, pezullohet nga detyra drejtori në AMP
Lajme

Atentati në Rinas me 2 viktima, pezullohet nga detyra drejtori në AMP

Drejtësia ka ndërmarrë një tjetër veprim në lidhje me atentatin e ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Sheqeri. Me kërkesë të Prokuroria e Tiranës është pezulluar nga detyra një drejtues në Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, shtetasi me iniciale G.S., i cili po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me punësimin e një prej viktimave.

Sipas vendimit gjyqësor, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullim nga ushtrimi i detyrës publike”, ndërsa do të paraqitet para gjykatës brenda pesë ditëve për t’u njohur me masën. Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku gjyqtarja Erlanda Agaj ka pranuar kërkesën e prokurorit Bledar Valikaj.

Hetimi për punësimin e paligjshëm

Sipas hetimeve paraprake, procedimi penal ka nisur pas kallëzimit të vetë AMP-së lidhur me punësimin në kundërshtim me ligjin të shtetasit M.Sh., i cili u vra në atentatin e nëntorit 2025 në Rinas. Ai ishte punësuar si ndihmëspecialist pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në këtë agjenci.

Prokuroria ka konstatuar se dokumenti i identifikimit i paraqitur nga viktima rezulton i falsifikuar dhe nuk ishte lëshuar nga AMP. Gjithashtu, procedura e rekrutimit është kryer jashtë çdo kriteri ligjor, pa shpallje vendi vakant, pa konkurrim, pa testim dhe pa verifikim përfundimtar të dokumentacionit.

Nga hetimet rezulton se kërkesa për punësim është bërë më 9 shtator 2025, ndërsa pranimi në detyrë është realizuar brenda pak ditësh, nëpërmjet një urdhri të motivuar me “nevoja emergjente”. Marrëdhënia financiare ka nisur më 16 shtator, megjithëse i punësuari nuk është paraqitur asnjëherë në punë deri në ditën e atentatit.

Akuza për shpërdorim detyre

Sipas organit të akuzës, drejtuesi i pezulluar ka miratuar procedurën e rekrutimit duke anashkaluar ligjin për AMP-në dhe rregulloren përkatëse të miratuar me vendim qeverie. Veprimet dhe mosveprimet e tij konsiderohen se përmbajnë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e punësimit të paligjshëm dhe lidhjen e mundshme të këtij rasti me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në Rinas, ndërsa drejtuesi i pezulluar do të përballet me drejtësinë për masën e sigurisë dhe akuzat e ngritura ndaj tij.

Njoftimi:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos caktimi i masës së sigurisë ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasin G.S., Drejtor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Tiranë, nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Hetimet nisën pas kallëzimit të kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi punësimin në kundërshtim me ligjin pranë kësaj agjencie të shtetasit M.Sh., i cili humbi jetën në rrethrrotullimin e Rinasit, i qëlluar me armë zjarri së bashku me shtetasin G.D.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi M.Sh., ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria provoi se dokumenti i gjendur këtij shtetasi ishte i falsifikuar pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument. Ky shtetas kërkoi të punësohej në AMP më 09.09.2025 dhe pranimi i tij më 15.09.2025, nëpërmjet një urdhri, rezulton haptazi në kundërshtim me ligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.532, datë 29.07.2022 “Per Miratimin e Rregullores Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”.

Në këto akte ligjore dhe nënligjore përcaktohet qartë se rekrutimi i punonjësve të AMP-së bëhet nëpërmjet konkurimit, shpalljes së vendeve vakante, krijimit të komisioneve përkatëse, testimit, verifikimit përfundimtar për kualifikimin/skualifikimin e aplikantëve deri në përpilimin e kontratës, urdhrin e emërimit në detyrë dhe periudhën e provës.

Drejtori i Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, shtetasi G.S., shprehet se procedura e ndjekur për rekrutimin e shtetasit M.Sh., nuk është ligjore dhe se ai në këtë proces ka nënshkruar miratimin vetëm për anën formale të akteve dhe jo në përmbajtje. Ndërkohë që ky shtetas ka kërkuar që ky urdhër të bëhej shpejt me motivacionin ‘pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.

Ky shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Ai ka anashkaluar ligjin organik Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe Rregulloren “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore” e miratuar me VKM Nr.532, datë 29.07.2022, ku janë përcaktuar qartë fazat e vlerësimit të kandidaturës M. Sh., nga testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimi i dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit, i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Shtetasi M.Sh. u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur eshte paraqitur zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025, që i janë lidhur marëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP-së. U pagua me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri ne date 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrerotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.