E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ylli Zalla reagon nga arratia: Nuk kam lidhje me atentatin në Rinas!
Lajme

Ylli Zalla reagon nga arratia: Nuk kam lidhje me atentatin në Rinas!

I shumëkërkuari Ylli Zalla ka zgjedhur të flasë publikisht nga arratia, duke kundërshtuar çdo akuzë që e lidh me atentatin e ndodhur në Rinas më 11 nëntor 2025.

Përmes një video-mesazhi dhe një materiali të detajuar me shkrim, ai shprehet kategorikisht se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë kriminale, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe ndërroi jetë disa ditë më pas në spital edhe Muçi Shaljani, pas plagëve të marra.

Sipas Zallës, përfshirja e emrit të tij në këtë dosje është e padrejtë dhe e pabazuar. Ai pretendon se mënyra si është trajtuar nga strukturat ligjzbatuese jo vetëm që ka deformuar të vërtetën, por e ka ekspozuar atë ndaj një rreziku serioz për jetën.

Në deklarimet e tij, ai thekson se nuk ka pasur asnjë rol në organizimin apo realizimin e atentatit dhe se akuzat janë ngritur mbi supozime të pasakta. Madje, ai shkon më tej duke ngritur dyshime për mënyrën si janë kryer hetimet, duke përmendur mungesë reagimi në kohë dhe administrim të paplotë të provave, përfshirë edhe pamjet filmike të zonës.

Një tjetër pikë ku ai ndalet është edhe çështja e arsenalit të armëve dhe municioneve të zbuluara pranë banesës së tij në Nikël. Zalla pretendon se ato janë mbetje të vjetra, që datojnë prej trazirave të vitit 1997, për të cilat ai thotë se e ka shlyer më herët detyrimin ligjor.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit e konsideron atë si të dyshuar për rol ndihmës ndaj autorëve të atentatit. Gjatë kontrolleve të zhvilluara janë sekuestruar armë zjarri, granata, lëndë plasëse dhe një sasi e konsiderueshme municionesh, ndërsa Zalla rezulton i shpallur në kërkim dhe me precedentë penalë për vepra të lidhura me armëmbajtje pa leje dhe prodhim lëndësh plasëse.

Operacionet për kapjen e tij kanë vijuar në zonën e Fushë-Krujës, por deri më tani ai ka arritur t’u shmanget forcave të rendit.

Në dëshminë e tij të plotë, Zalla pretendon se nuk ndodhej në banesë në momentin e kontrollit policor dhe se shpallja e tij në kërkim ka ardhur menjëherë pas kësaj, ndërsa mediat, sipas tij, e kanë paraqitur si një nga autorët kryesorë pa prova konkrete.

Ai akuzon policinë se po tenton t’i atribuojë përgjegjësi për ngjarjen përmes operacioneve të përsëritura dhe “zbulimeve” të reja të municioneve, të cilat ai i konsideron të pabazuara dhe të qëllimshme për ta implikuar.

Zalla thekson se situata e krijuar e ka futur në një klimë të rrezikshme, duke përmendur edhe mundësinë e hasmërive, ndërsa kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të vërtetë.

Në fund të reagimit të tij, ai paralajmëron se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj mediave që, sipas tij, kanë publikuar informacione të pavërteta, duke i shkaktuar dëm reputacionit dhe familjes së tij.

Dëshmia e plotë e publikuar nga JOQ:

Unë jam Ylli Zalla dhe aktualisht ndodhem në një situatë të padëshirueshme për shkak të rrezikut serioz që po më kanoset.

Arsyeja kryesore e kësaj videoje është të sqaroj akuzat e pavërteta që më janë vënë mbi supe. Një ndër akuzat është ajo për një atentat mafioz më 11 nëntor 2025 në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Atentati u krye sapo viktimat u kthyen nga një udhëtim në Spanjë. Një grup prej të paktën tre personash u zunë pritë dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi drejt makinës së tyre në rrugën e Rinasit. Për disa çaste nuk ka pasur asnjë lëvizje makinash në këtë rrugë dhe të gjitha kamerat e zonës kanë qenë të fikura, gjë që do të thotë se në këtë atentat ka pasur gisht vetë shteti shqiptar.

Autorët janë larguar drejt qytetit të Fushë-Krujës, ku kanë djegur edhe makinën e përdorur gjatë atentatit në fshatin Tapizë, e më pas janë ndihmuar të largohen pa lënë gjurmë. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka ngritur disa postblloqe dhe ka filluar operacionin e koduar “Tracking”. Gjatë këtij operacioni, policia ka shkuar në banesën time në Fushë-Krujë dhe ka kryer kontroll të imtësishëm. Në afërsi të banesës sime janë gjetur sasi të konsiderueshme municionesh. Ajo ka qenë një zonë luftarake dhe municionet kanë qenë aty që nga trazirat e vitit ’97.

Në momentin e kontrollit të banesës unë nuk kam qenë në shtëpi; kam qenë në një vend duke u kujdesur për dorën time, të cilën e kam thyer për shkak të një rrëzimi të papritur. Të nesërmen u shpalla në kërkim ndërkombëtar dhe të gjitha mediat nxorën lajmin sikur unë, Ylli Zalla, isha një ndër autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje, duke pretenduar se kam ndihmuar autorët me municione, strehim dhe se makina ka dalë nga shtëpia ime.

Të gjitha këto janë absolutisht të pavërteta. Policia, shefi i zonës Burim Ndrragusha, shefi i krimeve Krenari dhe i gjithë shteti shqiptar duhet të vihen në ndjekje të vrasësve të vërtetë dhe nuk duhet të më implikojnë me akuza të tilla. Shefi i zonës, Burim Ndrragusha, duhet të marrë kamerat e gjithë vendit në afërsi të banesës sime dhe të tregojë pafajësinë time, që nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Por ata po bëjnë të kundërtën: po zhvillojnë disa operacione të kota në zonën e Zallës dhe po më ngarkojnë akuza të tjera.

Më 20 shkurt, policia ka zhvilluar një operacion tjetër dhe në afërsi të banesës kanë gjetur sërish municione luftarake, por ato shihet lehtësisht që ishin të gjitha të ndryshkura, pra kanë qenë aty prej shumë vitesh. Policia ka bërë video të shtëpisë sime dhe municionet i ka nxjerrë sërish në portale duke thënë se janë të miat; asnjë nga këto gjëra nuk është e vërtetë. Policia dëshiron të bëjë filma e “show” me mua dhe me emrin tim. Ata duan të m’i faturojnë mua të gjitha akuzat, por nuk do t’ia dalin sepse e vërteta del gjithmonë në pah.

Më datë 17 mars 2026, policia ka kryer një tjetër operacion dhe kanë thënë se unë u jam larguar dhe se kanë gjetur sërish municione në shtëpi. Si mund të jetë e mundur që këto municione nuk i gjetën që herën e parë? Kjo tregon paaftësinë e policisë; duan të më shtojnë akuzat. Kam informacione se policia po merr lekë nga vrasësit për të më njollosur emrin. Tashmë policia më ka përfshirë në një situatë shumë të tensionuar dhe të rrezikshme. Me lajmet që ka nxjerrë, policia po më fut në hasmëri me njerëzit. Unë, Ylli Zalla, shpreh keqardhje për familjarët e të ndjerëve dhe ju bëj me dije se pafajësia ime do të vërtetohet.

Unë dua që ngjarja të zbardhet dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar, por jo të merrni emrin tim dhe ta implikoni me të pavërteta. Nëse unë do të isha fajtor, do të dorëzohesha dhe do të pranoja dënimin maksimal. Por, përderisa nuk kam gisht as në vrasje dhe as me armët, nuk do të dorëzohem pa dalë e vërteta dhe pa u provuar pafajësia ime.

Deklaroj se sapo të mbarojë kjo situatë, unë do të denoncoj të gjitha mediat që kanë hedhur baltë mbi emrin tim, bazuar në nenin 120 të Kodit Penal për shpifje, pasi keni shkaktuar shumë stres në familjen time.

I kërkoj policisë ta zgjidhë këtë situatë. Ju lutem, zbardhni ngjarjen, duke më dhënë kështu mundësinë edhe mua për të jetuar në siguri dhe dinjitet në territorin shqiptar.

Me respekt, Ylli Zalla

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.