E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aty ku Mark Marku ka të drejtë dhe ajo që nuk mundet ta thotë: “PD e ka përmbyllur misionin e saj”
Publik News

Aty ku Mark Marku ka të drejtë dhe ajo që nuk mundet ta thotë: “PD e ka përmbyllur misionin e saj”

Mark Marku i është shtuar sot përfundimisht listës së gjatë të atyre që e përshkruajnë PD-në me notat më të errëta dhe në ditën e saj më të zezë. Po të qëmtosh me vëmendje argumentat e rendituara në dorëheqjen e tij si deputet, gjendja duket katastrofale.

Një parti e atrofizuar, që s’ështv në gjendje të reagojë ndaj masakrës që u organizua kundër saj, që s’ka asnjë plan për të ardhmen, që nuk di ku do të shkojë, meraku i vetëm i së cilës është të kryej formalitetet e zgjedhjes së drejtuesve dhe të përpiqet të gënjejë militantët dhe shoqërinë për rolin e vet të vërtetë.

Në një kuptim, këto kritika nuk janë as një risi dhe as një çudi. Shtypi dhe ekranet tona janë përditë të stërmbushura me një pjesë të këtyre akuzave ndaj opozitës, ashtu sikurse ndodh rëndom në çdo regjim autoritar. Pra Marku bashkohet me të gjithë propogandistët pro Edi Ramës, që vizatojnë një Bashë kukull të Berishës, të pa aftë për aksion, manjak në mashtrime për të fshehur realitetin e gjërave, gjumash kur vjen puna për akte të forta, për të cilat nuk ka as plan dhe as projekt.

Por ama, duhet nënvizuar qartë që, ndonëse këto lloj argumentash ngjajnë në formë, mes tyre qëndon i hapur një hendek i madh. Pjesa më e madhe e kritikave ndaj Bashës bëhen me qëllimin hileqar për të zgjatur pushtetin e Ramës, ndërsa ajo e Mark Markut ngre në thelb një shqetësim të kundërt: nëse Basha ka forcën, vullnetin, moralin, vizionin dhe kurajon për ti shpëtuar shqiptarët nga ky regjim kleptokratik.

Pra ndryshe nga sharjet e e lakejve të pushtetit, meraku i tashmë ish deputetit të PD-së, niset nga premisa e një shoqërie më normale dhe i një Shqipërie më të mirë.

Pikërisht për këtë ai meriton vëmendje, diskutim serioz dhe hapjen e një debati për qorrsokakun ku po e shpinen opozitarizmin një grusht sharlatanësh pa gjak, pa ngjyrë dhe pa nder.

Argumentat e largimit nga forumet e PD janë tronditëse. Ato përshkruajnë një parti të tredhur për të reaguar, të pa aftë për të protestuar, të shndërruar në mburojë për aferat e liderëve të saj, një PD ku njerëzit kanë frikë të thonë mendimin e tyre, një aparat të burokratizuar, që po degradon përditë e më shumë në një dekor të thjeshtë të qeverisë rilindase.

Nisur nga konstatimi i këtyre njollave, ai është larguar nga forumet e PD, duke besuar se beteja kundër regjimit të rilindjes bëhet më mirë jashtë mureve dhe barierave të opozitës zyrtare.

E këtu qëndron thelbi i problemit që ka hapur me forcë largimi i një prej të paktëve deputetë që arriti të fitojë në zgjedhjet e 25 prillit: A është në gjendje PD e Bashës të marrë mbi supe barrën e opozitarizmit në këtë vend? A mund të shërbejë dot ajo për të mbrojtur numrin e pallogaritshëm të të shtypurve prej regjimit (të papunë, minatorë, qytetarë me prona të grabitura, viktima të krimit dhe atyre që nuk gjejnë drejtësi në gjykata)? A përbën ajo qoftë dhe një shpresë minimale për një shoqëri më të mirë? A vazhdon të gëlojë brenda saj idealizmi i një ndryshimi pozitiv?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.