Auditorët dhe shkollat bosh, rinia shqiptare në revoltë
Shkollat dhe auditorët në Tiranë janë boshatisur, pasi studentë dhe gjimnazistë kanë braktisur mësimin për t’iu bashkuar protestës. Pjesëmarrësit janë nisur nga shkollat dhe universitetet e tyre në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ku pritet të përqendrohet marshimi i sotëm.
Sipas raportimeve, bojkotit në kryeqytet i janë bashkuar edhe studentë nga qytete të tjera të vendit, duke e zgjeruar mobilizimin përtej Tiranës. Vendimi për të ndërprerë procesin mësimor vjen pas protestës së zhvilluar një ditë më parë, e cila zgjati disa orë dhe u shoqërua me tensione të shumta.
Tubimi i së martës degjeneroi në përplasje dhe incidente në disa zona të kryeqytetit. Gjatë trazirave, protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe dëmtuan tabela reklamash të vendosura përgjatë rrugëve.
Përplasjet sollën edhe persona të lënduar, mes tyre protestues, punonjës policie dhe gazetarë që po ndiqnin nga afër zhvillimet. Ngjarjet e një dite më parë kanë shtuar reagimet dhe kanë shërbyer si një tjetër shtysë për vazhdimin e mobilizimit studentor.
Me bojkotin e mësimit dhe marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, studentët dhe gjimnazistët po e zhvendosin protestën edhe në hapësirat arsimore, duke treguar se pakënaqësia nuk është kufizuar vetëm te pjesëmarrja në tubimet në rrugë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



