Avokati i Popullit/ Adriana Kalaja barazohet me 5 ‘qokaxhinj’
Propozimet sjellin zemërimin në opozitë
Drejtuesit e Partisë Demokratike kanë vendosur të dorëzojnë plot gjashtë emra për postin e Avokatit të Popullit, një zgjedhje që ka hapur debat të ashpër dhe ka ringjallur akuzat për mungesë serioziteti brenda opozitës më të madhe në vend.
Ky numër i pazakontë kandidaturash nuk shihet si shenjë force, por si simptomë e një problemi më të thellë: trajtimit të institucioneve të pavarura si terren për shpërndarje “nderesh” dhe kënaqje grupesh të brendshme.
Zëra kritikë brenda PD-së theksojnë se në vend që të paraqiste një figurë të vetme të fortë, me integritet dhe histori opozitarizmi, partia zgjodhi të hedhë në tryezë “sa më shumë emra që të mos mërzitet askush”, duke e shndërruar procesin në një garë qokash.
Përjashtim në këtë listë konsiderohet Adriana Kalasa, e cila prej vitesh ka qenë një nga zërat më aktivë dhe më të drejtpërdrejtë të opozitës. Barazimi i kontributit të saj me pesë kandidatë të tjerë që, sipas kritikëve, nuk kanë të njëjtin peshim publik apo politik, është cilësuar “turp” dhe sinjal i qartë i devijimit të PD-së nga parimet që pretendon të mbrojë.
Brenda partisë, reagimi është i ashpër:
“Sot kush ka bërë opozitë të vërtetë, pa kompromis, mori një mesazh të hidhur: vlen po aq sa një qoke dhe barazohet me ata që kanë heshtur me vite, duke pritur postin e radhës.”
Ky zhvillim nuk është thjesht procedurë formale për një institucion të rëndësishëm si Avokati i Popullit. Për shumë demokratë dhe qytetarë, ai është tregues i një mentaliteti që vijon të gërryejë opozitën: mungesa e një vizioni të qartë, mungesa e meritokracisë dhe mbizotërimi i llogarive të brendshme mbi interesin publik.
Vendimi i PD-së nga njëra anë shpalos një faqe të re të pakëndshme në mënyrën si funksionon sot opozita, dhe nga ana tjetër, jep një mesazh që bie ndesh me retorikën e reformimit dhe seriozitetit institucional. Debatet pritet të ashpërsohen ditët në vijim, ndërsa qytetarët pyesin: a është kjo opozita që pretendon të rikthejë besimin e publikut?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



