Avokati i Popullit nis hetim për dhunën e policisë ndaj studentëve
Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar mënyrën se si Policia ka përdorur forcën gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, ku u regjistruan përplasje mes efektivëve dhe protestuesve.
Procedimi ka nisur kryesisht nga institucioni, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, me qëllim vlerësimin nëse ndërhyrjet e policisë kanë qenë të domosdoshme dhe në përpjesëtim me situatën e krijuar.
Sipas reagimit zyrtar, verifikimet do të mbështeten edhe në standardet e përcaktuara nga nenet 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat lidhen përkatësisht me të drejtën për jetën, ndalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, si dhe lirinë e tubimit dhe të organizimit.
Monitorim në terren dhe pranë komisariateve
Në kuadër të hetimit, grupet e monitorimit të Avokatit të Popullit janë angazhuar në terren, në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku po mbahen personat e shoqëruar gjatë protestës.
Një nga drejtimet kryesore të verifikimit është respektimi i të drejtave të personave të shoqëruar nga policia. Institucioni po kontrollon nëse atyre u është garantuar mundësia për t’u pajisur me avokat, për të njoftuar familjarët dhe për të përfituar ekzaminim mjekësor.
Këto verifikime synojnë të përcaktojnë nëse procedurat e ndjekura nga autoritetet kanë qenë në përputhje me garancitë ligjore dhe standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Thirrje qytetarëve për të denoncuar shkeljet
Në reagimin e tij, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që pretendojnë se u janë cenuar të drejtat gjatë protestës, të paraqesin ankesa individuale pranë institucionit.
Ankesat do të shërbejnë për shqyrtimin e pretendimeve konkrete dhe vlerësimin e tyre sipas procedurave përkatëse.
Nisja e hetimit administrativ vjen pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës studentore në kryeqytet. Vlerësimi i institucionit do të përqendrohet te ligjshmëria dhe proporcionaliteti i përdorimit të forcës, si dhe te respektimi i të drejtave të personave të shoqëruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



