Babai i Ervis Martinajt: Djalin im është ekzekutuar në Durrës!
Mustafa Martinaj u paraqit këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, ku ishte thirrur për të dhënë dëshminë e tij në procesin që lidhet me pasuritë e të birit, Ervis Martinaj. Seanca nuk arriti të zhvillohej, pasi munguan dy prokurorët e çështjes, duke sjellë shtyrjen e saj për një datë tjetër.
Në përfundim të paraqitjes së tij, Mustafa Martinaj foli për mediat dhe dha një deklaratë të fortë lidhur me fatin e djalit të tij, i zhdukur prej gushtit 2022. Ai u shpreh: “fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë.”
Më tej, ai shtoi: “Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”.
I pyetur nëse ka ndjekur ecurinë e hetimeve nga organet përkatëse, Martinaj u shpreh se nuk ka më besim dhe as mundësi për të ndikuar: “nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet pas dy javësh, ndërsa procesi gjyqësor vijon mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive që dyshohet se lidhen me Ervis Martinajn. Në sallë ishin të pranishëm edhe dy shtetas të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej datës 9 gusht 2022 dhe deri më sot nuk ka një version zyrtar nga autoritetet mbi atë çfarë ka ndodhur me të.
GJYKATA LË NË FUQI SEKUESTRON MBI PASURITË
Në një zhvillim paralel, Gjykata e Posaçme ka vendosur të mos pranojë kërkesën e familjarëve dhe përfaqësuesve ligjorë të Ervis Martinajt për heqjen e masës së sekuestros mbi pasuritë. Mbrojtja kishte argumentuar se kërkesa ishte depozituar prej kohësh dhe se afatet ligjore për shqyrtim ishin tejkaluar.
Megjithatë, pas analizimit të çështjes, gjyqtari Erion Bani vendosi të lërë në fuqi sekuestron, duke e cilësuar kërkesën e mbrojtjes të pambështetur në ligj dhe në prova konkrete.
Sipas sqarimeve të dhëna nga gjykata, prokuroria ka të drejtë të vijojë hetimet deri në dy vite nga momenti i vendosjes së masës, ndërsa afati i sekuestros është shtyrë në mënyrë të rregullt dhe mbetet në fuqi deri në dhjetor 2025.
Gjykata theksoi gjithashtu se heqja e kësaj mase mund të ndodhë vetëm në rast se prokuroria nuk paraqet kërkesë për konfiskim brenda afateve të përcaktuara. Duke qenë se kjo kërkesë është dorëzuar në kohë, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për shfuqizimin e sekuestros mbi 34 pasuritë e vendosura nën masë që prej vitit 2023.
Procesi pritet të vijojë në seancat në vijim, ku do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët zotërojnë ose kanë lidhje me pasuritë në shqyrtim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



