E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Babai i Vis Martinajt: Djalin ma vranë, më vjen turp që pyetem për lecka e tulla
Lajme

Babai i Vis Martinajt: Djalin ma vranë, më vjen turp që pyetem për lecka e tulla

Mustafa Martinaj dëshmon në GJKKO: Kam ecur me mbi 800 mijë $ cash në kohën e bandave

Misteri mbi fatin e ‘Bossit të lojërave të fatit’ mbetet ende pa përgjigje

Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, u paraqit në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit që po zhvillohet ndaj pasurive të të birit, një nga figurat më të përfolura të botës së lojërave të fatit në Shqipëri.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e 34 pasurive, të vlerësuara në rreth 10 milionë euro, duke pretenduar se ato janë krijuar nga aktivitete të paligjshme. Ndërkohë, misteri mbi fatin e Ervis Martinajt vijon të mbetet i pazgjidhur, mes dyshimeve nëse ai është ende gjallë apo është vrarë.

Gjatë seancës, Mustafa Martinaj shprehu pakënaqësinë e tij për mënyrën si po trajtohet çështja, duke theksuar se për të është e rëndë të pyetet për pasuri materiale, ndërkohë që, sipas tij, djali i tij nuk jeton më.

Ai deklaroi se ka ushtruar aktivitet ekonomik prej vitesh, duke filluar që pas viteve ’90 me biznese të vogla si kancelari dhe këmbim valutor, për të vijuar më pas me angazhime më të mëdha në sektorin financiar. Sipas tij, ka administruar për vite me radhë një rrjet shërbimesh financiare në disa qytete të vendit, duke përfituar të ardhura të konsiderueshme, sidomos në periudhën e pasluftës në Kosovë, kur remitancat ishin në nivele të larta.

Martinaj theksoi se një pjesë e mirë e aktivitetit të tij nuk është dokumentuar plotësisht për shkak të rrethanave të kohës dhe mungesës së strukturave të konsoliduara financiare. Megjithatë, ai pretendon se ka qenë në gjendje të sigurojë të ardhura të konsiderueshme dhe të përballojë kredi bankare të shumta, të cilat, sipas tij, janë të provueshme përmes dokumentacionit bankar.

Sa i përket të birit, ai u shpreh se Ervisi ka qenë një nxënës i mirë dhe ka studiuar për ekonomi në Itali, fillimisht me bursë. Më pas, ai u kthye në Shqipëri, ku, sipas të atit, nisi të ndërtonte jetën e tij, duke kërkuar edhe mbështetje financiare nga familja për blerjen e banesës dhe mjeteve të para.

Në dëshminë e tij, Mustafa Martinaj përshkroi edhe vështirësitë e periudhës së trazuar të fundviteve ’90, kur, sipas tij, ka operuar në kushte të pasigurta duke transportuar shuma të mëdha parash nëpër zona të ndryshme të vendit, në funksion të aktivitetit të tij financiar.

Procesi në Gjykatën e Posaçme vijon, ndërsa pritet që në seancat e ardhshme të shqyrtohen provat dhe dokumentacioni i paraqitur nga palët, për të vendosur mbi fatin e pasurive të sekuestruara.

Dëshmia e Mustafa Martinajt:

Jam me profesion ekonomist. Kam pësuar një aksident në fund të viteve ’90, shumë të rëndë. Jam kuruar në Romë dhe pas rikthimit në Shqipëri kam filluar punë si drejtor i Dhomës Gjyqësore në Laç, Lezhë dhe Mirditë.

Pas ’97-ës jam marrë me aktivitet privat. E kam nisur me një kancelari dhe fotokopje, jam marrë për 3 vjet me kambizëm. Kam filluar punë si administrator ekskluziv i UFT-së në rrethin e Laçit me 3 pika. Kam punuar në Mirditë, Mat dhe Fushë-Krujë, me punë voluminoze dhe të ardhura të jashtëzakonshme. Kemi parasysh kohën, luftën e Kosovës dhe remitancat shumë të larta. Kam qenë në gjithë Shqipërinë, kam pasur ekskluzivitet në 4 rrethe.

Ervisi ishte në vitin e tretë të gjimnazit, motrat edhe më të vogla. Gjatë kësaj kohe më ka ecur shumë mirë puna. UFT është edhe sot në aktivitet, mund ta verifikoni.

Në 2007 kam punuar si administrator i Union Bank në Laç, por edhe në shërbimet bankare. Nga ky aktivitet kam pasur rreth 60 mijë dollarë të ardhura, dytësore për mua. Të gjitha aktivitetet e mia, në një periudhë shumë të vështirë, z. Kryetar, janë sulmuar padrejtësisht. Banka e Kursimeve, që ka pasur aktivitetin kryesor, nuk ekziston dhe s’ka asnjë dokument, bankat e tjera kryesisht gjithashtu.

As 30% e aktivitetit tim nuk është pasqyruar. Kam rreth 3.5 milion euro të ardhura, me rreth 6 milion kredi; këto jam në gjendje t’i vërtetoj me vendimet e bankës. Për shoqërinë UFT janë deklaruar një pjesë e madhe. Kam blerë përmes bankës “Arbëria”. Kam marrë kredi bankare për këtë punë. Për secilin nga rastet veprimet janë me bankë. Mund t’ju paraqes dokumentet në çdo moment.

Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, nga ana juaj asnjë sinjalizim…

Deri në vitin 2008, asnjë nga fëmijët nuk bënte punë, ishin në shkollë. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë. Ka shkuar rreth viteve 2000-2001 me bursë dhe studioi ekonomi. Visi më pas u transferua nga Italia në Tiranë dhe kjo përkon me blerjen e një banese në rrugën ‘Himë Kolli’.

Ervisi ka qenë nxënës i mirë, por i la studimet përgjysmë dhe erdhi në Tiranë. Visi ishte shumë punëtor. Në Itali nuk ka bërë asnjë punë. Me ardhjen nga Italia më ka kërkuar ndihmë. I kam blerë dy makina, një makinë vajzave dhe një Visit.

Djali nuk na ka sjellë asnjë lloj shqetësimi. Kemi pasur raporte të rregullta. Kur ishte në Itali s’kishte nevojë për lekë, se kishte bursë.

Visi më ka kërkuar ndihmë për të blerë shtëpi të përbashkët. Për vajzat kam marrë kredi 12500 euro, makinë e vogël markë japoneze. Kisha çelësat, dora e thatë nuk puthet. Jemi familje tradicionale malësore. Vazhdoi shkollën për ekonomi edhe pasi erdhi në Shqipëri, provimet nuk i dha, se ka marrë diplomën. Pati hapur vet i dyti, emrin sja kujtoj me e kërku emrin mund tia gjej, djalë nga tirana, riparonin lodrat që luanin këta me kuaj. Mua që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar tek pull i vetëm nga tirana me mbi 800 mijë dollar cash, karta e telefona në 12 të natës, në periudhën më të vështirë, në ‘99, bandat ishin rrugës. Kam pas një makinë 2400 i çoja në bagazh, në Rubik e Rrëshen, ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. As edhe një gërvishtje smë ka ndodhur, kam luajtur me kokën time, u ndodhin të tjerëve incidente.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.