Babuçi si agjent! I skanoi gjithë fshatarët e Vajzës
Festa e fshatit Vajzë këtë vit nuk kishte vetëm këngë, valle dhe muhabet. Kishte edhe “kontroll sigurie”.
Në terren zbarkoi vetë Babuçi.
Katër vite kishte refuzuar ftesën e kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushit, por këtë herë vendimi kishte marrë “formë të prerë”. Nuk kishte më apel, rekurs apo shtyrje seance. Babuçi duhej të paraqitej në Vajzë në krah të Sadushit.
Dhe u paraqit.
Sapo mbërriti, nisi inventari.
Bamir Topi? I skanuar.
Fidel Ylli? Rezultonte nga Skrapari, por pas verifikimit të dytë doli edhe “mik i Vajzës”.
Prefekti i Tiranës? Në sistem.
Kryetari i Bashkisë Selenicë? Kontroll i posaçëm, sidomos për projektin revolucionar të çimit të detit në majë të malit, bashkë me kripën.
Ervin Demo? I pranishëm për kontrollin teknik të pushtetit vendor.
As gjyqtarja që prezantoi ceremoninë nuk shpëtoi. Babuçi e kaloi menjëherë në skanerin institucional:
“Vetting-un e paske kaluar, por kjo veshja kërkon ekspertizë shtesë.”
Në anën tjetër, Sokol Sadushi rrinte i qetë. Katër vite ftesa, katër vite refuzime. Në fund, drejtësia triumfoi.
Vendimi:
Rama kundër Festës së Vajzës – çështja pushohet. I pandehuri paraqitet vullnetarisht. Vendimi merr formë të prerë.
Pas kësaj nisi skanimi masiv.
Një nga një, fshatarët kaluan para “agjentit”.
“Emri?”
“Filani.”
“Origjina?”
“Vajzë.”
“Mik i kujt?”
“I Vajzës.”
“Kaloni.”
Njëri tentoi të thoshte se ishte nga Sevasteri.
Alarm.
U kërkua verifikim i dytë.
Një tjetër deklaroi se kishte ardhur vetëm për mishin dhe rakinë.
“Ky është i pastër”, vendosi menjëherë komisioni.
Në fund të mbrëmjes, operacioni u konsiderua i suksesshëm.
Asnjë armik i Vajzës nuk u konstatua.
Të gjithë rezultuan miq.
Disa të lindur aty.
Disa të ardhur nga Tirana.
Njëri nga Skrapari.
Të tjerët me vendim gjykate.
Ndërsa Babuçi, pasi kishte skanuar gjysmën e fshatit dhe kishte verifikuar pushtetin ekzekutiv, vendor, sportiv dhe gjyqësor, dha edhe konkluzionin përfundimtar:
“Rëndësi ka që pushtetin gjyqësor e keni me vete.”
Dhe aty mbaroi festa.
Sepse kur në një fshat ke Kryeministrin, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, ish-Presidentin, ministrin, prefektin, kryebashkiakun dhe Komitetin Olimpik, nuk quhet më festë e Vajzës.
Quhet mbledhje e përbashkët institucionesh me muzikë labe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



