E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Balla sinjale Braçes e Sinajt në prag të votimit të Reformës Territoriale
Lajme

Balla sinjale Braçes e Sinajt në prag të votimit të Reformës Territoriale

“Nëse votojnë kundër, e dinë vendimin politik që vjen më pas”

Votimi i reformës së re territoriale këtë të enjte pritet të shndërrohet në një test të rëndësishëm për mazhorancën socialiste, pasi miratimi i ndryshimeve kërkon 84 vota në Kuvend.

Kjo shumicë e cilësuar e vendos Partinë Socialiste përballë një llogarie të ndërlikuar parlamentare, veçanërisht pas mungesës së Belinda Ballukut dhe largimit të deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar socialist.

Në këto kushte, çdo votë brenda mazhorancës merr peshë të veçantë. Situata komplikohet edhe më tej nga rezervat që janë shfaqur brenda vetë PS-së për hartën e re territoriale, ku ndër zërat kritikë janë deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.

Në një moment kur drafti parashikon ndryshime të rëndësishme në organizimin territorial të vendit, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka përcjellë një mesazh të fortë për deputetët socialistë.

Duke iu referuar mënyrës se si funksionon grupi parlamentar, Balla ka pranuar se deputetët mund të kenë qëndrime të ndryshme, të debatojnë dhe madje të votojnë kundër në diskutimet e brendshme. Megjithatë, sipas tij, në fund mbizotëron vendimi politik i mazhorancës.

Ky qëndrim është interpretuar si një sinjal i qartë për deputetët që mund të kenë rezerva për draftin e reformës territoriale, veçanërisht në kushtet kur mazhorancës i nevojiten 84 vota për ta kaluar atë.

Balla e ka lidhur gjithashtu mbështetjen për reformën me objektivat më të gjera politike të qeverisë, duke vënë theksin te procesi i integrimit europian dhe momenti politik në të cilin ndodhet Shqipëria.

Ai ka argumentuar se vendimmarrja për çështje të tilla duhet parë përtej interesave të veçanta të zonave apo deputetëve, duke e vendosur reformën në kuadrin e axhendës politike të mazhorancës.

Balla për Braçen dhe Sinajn: “Ndër më të mirët e grupit”

I pyetur nëse referimi i tij te “vendimi politik” nënkuptonte pasoja për deputetët që mund të votojnë kundër, Balla nuk ka folur drejtpërdrejt për përjashtime nga grupi parlamentar.

Përkundrazi, ai i ka cilësuar Erion Braçen dhe Vullnet Sinajn si dy prej deputetëve më të mirë të grupit parlamentar socialist.

Megjithatë, deklaratat e tij për vendimin politik vijnë në një moment kur çdo devijim nga qëndrimi zyrtar i PS-së mund të ndikojë drejtpërdrejt në arritjen e 84 votave të nevojshme për reformën.

Në këtë situatë, beteja nuk duket se zhvillohet vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda vetë grupit socialist, ku deputetët duhet të përballen me presionin për të mbështetur një hartë territoriale që ka ngjallur kundërshtime në disa prej zonave që ata përfaqësojnë.

Rrogozhina dhe Kavaja, pyetjeve për interesat elektorale Balla u përgjigjet me kontekstin administrativ

Një tjetër çështje e ngritur gjatë komunikimit me gazetarët ishte bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën dhe nëse ky ndryshim mund të lidhej me interesa elektorale të Partisë Socialiste.

Balla e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke argumentuar se të dyja bashkitë i përkasin të njëjtit qark, atë të Tiranës, dhe për rrjedhojë ndryshimi i propozuar nuk do të sillte, sipas tij, një ndryshim në kontekstin elektoral-politik të zgjedhjeve qendrore.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit vazhdojnë kundërshtimet ndaj hartës së re territoriale. Banorë të Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit kanë protestuar kundër ndryshimeve të propozuara, ndërsa mazhoranca këmbëngul se reforma duhet të ecë përpara.

Me 84 vota të nevojshme, mungesat në radhët e PS-së dhe rezervat e shfaqura nga deputetë të saj, votimi i së enjtes pritet të jetë një prej provave më të rëndësishme për disiplinën e grupit parlamentar socialist.

Nëse ndonjë prej deputetëve kritikë vendos ta shndërrojë kundërshtimin e shprehur në votë kundër, aritmetika e Kuvendit mund ta bëjë edhe më të vështirë miratimin e reformës së re territoriale.

Biseda me gazetarët:

Pyetje: Jashtë banorë të Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit që kundërshtojnë me protestë hartën e re territoriale…

Taulant Balla: Ata nuk janë banorë, janë punonjës të bashkisë…

Gazetarja: Keni folë me deputetët e PS, mes tyre ka nga ata që kanë rezerva për hartën e re?

Taulant Balla: Jo, jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka ras… raste që deputetët shprehin mendimin e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi tjetër që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë shumë mirë se sa e rëndësishme është që të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm kur Shqipëria nuk ka qenë kurrë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Javën e ardhshme kemi një moment tjetër le të themi kulminant të suksesit që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare, ku kalojmë, mbyllim një kapitull tjetër dhe besoj që ky është ai momenti i ndërgjegjësimit të natyrës politike për të kuptuar që duhet të ecim përpara në drejtimin që kemi.

Gazetarja: Keni frikë se po përmendni vendim politik e dini se çfarë ndodh po dolën kundër vendimit politik, apo i kërcënoni ju dy deputetët apo një deputet për përjashtim nëse nuk votojnë?

Taulant Balla: E para, e para janë dy deputetët ndër më të mirët që ka grupi parlamentar.

Gazetarja: Zoti Balla, bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën a është bërë për interesat elektorale të Partisë Socialiste?

Taulant Balla: Nuk është një… nuk është një diskutim kjo natyrë…

Gazetarja: Ju jeni dhe drejtues, prandaj po…

Taulant Balla: Nuk është një diskutim sepse të dyja janë bashki të qarkut Tiranë, kështu që nuk ndryshon le të themi konteksti elektorale-politik në zgjedhjet qendrore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.