Balluku nën hetim, SPAK zbarkon tek njerëzit e afërt të saj
SPAK mësohet se ka zhvilluar kontrolle në banesat e dy bashkëpunëtoreve të ngushta të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë figuron si person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kontrollet janë kryer në banesat e dy bashkëpunëtoreve të afërta të Ballukut, si dhe në një zyrë që lidhet me to. Njëra prej tyre mësohet se nuk mban më funksion publik.
Sipas informacioneve të deritanishme, hetimi lidhet me dosjen e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, aktualisht në burg për akuzat e “korrupsionit aktiv”, “shkeljes së barazisë në tendera” dhe “pasurisë së pajustifikuar”. Nga kjo çështje janë hapur pista të tjera që prekin edhe emra të njohur të administratës, përfshirë kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe zyrtarë si Gentian Gjyli, të cilët kanë mbajtur detyra në OSHEE dhe KESH.
Mësohet se Balluku është thirrur të hënën në SPAK, ndërsa në fletëthirrje i kërkohet të paraqitet e shoqëruar nga një avokat mbrojtës, një praktikë që tregon se ndaj saj mund të komunikohet akuzë penale. Me gjasë bëhet fjalë për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, mësohet se SPAK po e trajton çështjen me kujdes të veçantë për të shmangur procedurat parlamentare të autorizimit për ndjekje penale, duke e vijuar hetimin pa kërkesë për masë sigurie ndaj numrit dy të qeverisë.
Zëvendëskryeministrja përballet me disa kallëzime penale, mes tyre edhe për tunelin e Llogarasë, ku sipas dokumenteve, vlera e kontratës është rritur me mbi 50 milionë euro pas shpalljes së fituesit.
Nuk dihet ende nëse Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe nëse do të vijojë të qëndrojë në postin qeveritar apo do të zgjedhë të japë dorëheqjen për të zhvilluar betejën e saj ligjore.
Ajo mban detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022 dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit 2019, si dhe është drejtuese politike e qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste siguroi 12 mandate.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



