Balluku nuk dorëzohet, lëvizja e bujshme e zv.kryeministres
Pse zbarkoi në kryeministri Ulsi Manja?
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, prej më shumë se 5 orësh ndodhet në Kryeministri në një takim të pazakontë me kryeministrin Edi Rama, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila i caktoi masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” si dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Të dyja masat janë ekzekutuar menjëherë.
Mësohet se Balluku i ka paraqitur kryeministrit argumentet e saj, duke pretenduar se pezullimi përbën shkelje të Kushtetutës, me arsyetimin se GJKKO nuk ka kompetencë të marrë një vendim të tillë ndaj një zyrtari të nivelit të lartë qeveritar. Po sipas të njëjtave burime, ajo ka kërkuar që çështja të trajtohet me urgjencë për shkak të pasojave politike dhe institucionale që sjell.
Rreth dy orë më parë, takimit mes Ramës dhe Ballukut iu bashkua edhe deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ish-ministër i Drejtësisë dhe me profesion jurist. Manja është thirrur për të dhënë opinion juridik mbi situatën, në një përpjekje për të sqaruar nëse vendimi i GJKKO-së ka bazë ligjore apo jo, si dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm që mund të ndjekë qeveria.
Ndërkohë, tensioni rreth çështjes është rritur ndjeshëm, pasqyruar edhe nga zhvillimet e fundit në hetimet e SPAK-ut. Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo ka pasur kontroll të drejtpërdrejtë mbi çdo hap të procedurës dhe ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret e prokurimit publik.
Gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, Balluku i cilësoi akuzat si tërësisht të pabaza, duke këmbëngulur se procesi i tenderimit ishte transparent dhe i rregullt.
Por situata u përkeqësua më tej sot, pasi SPAK njoftoi se zëvendëskryeministrja është nën hetim edhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe, një tjetër projekt madhor infrastrukture.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



