Balluku zbarkoi sot në Prokurorinë e Posaçme, SPAK zbardh detajet
Ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka qëndruar për rreth 20 minuta. Gjatë kësaj paraqitjeje, asaj i është komunikuar zgjatja e hetimeve, ndërsa dosja ndaj saj merr një tjetër zhvillim të rëndësishëm.
Sipas burimeve zyrtare, Balluku është thirrur për t’u njohur me akuzat që lidhen me disa procedura prokurimi, aktualisht nën hetim. Gjithashtu, ajo është pyetur në lidhje me këto akuza dhe është vënë në dijeni për akte të tjera procedurale në kuadër të çështjes.
Përveç komunikimit të akuzave të reja, SPAK i ka bërë me dije edhe vendimin për zgjatjen e afatit të hetimeve me tre muaj të tjerë, çka tregon se hetimi mbetet kompleks dhe në zhvillim.
Ndaj ish-zyrtares së lartë rëndon akuza për shkelje të barazisë në tenderë, ndërkohë që paralelisht vijojnë verifikimet edhe për dyshime mbi korrupsion dhe pastrim parash. Këto hetime lidhen me dy tenderë me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në periudhën kur Balluku mbante detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të “Albcontrol”.
Çështja pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në javët në vijim, ndërsa SPAK vijon mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



