Banorët e Durrësit në protestë para bashkisë kundër projektit “TID”
Banorë të qytetit të Durrësit dolën sot në protestë përpara bashkisë, duke kundërshtuar projektin urban të njohur si “TID”, i cili parashikon rikualifikimin dhe zhvillimin e disa zonave të qytetit.
Të mbledhur para institucionit vendor, protestuesit deklaruan se janë kategorikisht kundër planit dhe paralajmëruan se nuk do të braktisin banesat e tyre, të cilat sipas tyre mbartin vlera historike dhe familjare prej më shumë se një shekulli. Ata shprehën shqetësimin se janë njoftuar vetëm në mënyrë gojore për të aplikuar për banesa sociale, një qasje që e konsiderojnë fyese dhe të papranueshme.
Një nga banoret u shpreh se familjet nuk janë të interesuara për kompensim apo strehim social, pasi synimi i tyre është të mbrojnë shtëpitë ku kanë jetuar prej brezash. Sipas saj, shembja e këtyre banesave do të përbënte humbje të historisë dhe identitetit të qytetit. Banorët theksojnë se nuk do të largohen dhe do të kundërshtojnë çdo tentativë për prishjen e shtëpive.
Një tjetër protestuese kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për projektin, duke bërë përgjegjëse për situatën kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako. Ajo deklaroi se banorët nuk janë dakord me planin urban dhe se kërkesa e tyre për transparencë dhe hetim nuk është marrë parasysh. Sipas saj, askush nuk ka të drejtë të ushtrojë presion apo të verifikojë praninë e tyre në banesa për qëllime administrative.
Në mbështetje të protestës u bashkua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, i cili e cilësoi zonën ku parashikohet projekti si një lagje autoktone me vlera për qytetin dhe vendin. Ai theksoi se zhvillimi urban është i domosdoshëm, por nuk mund të realizohet në kurriz të pronës private dhe pa transparencë të plotë për përfitimet dhe ndikimin e projektit.
Cara shtoi se proceset e zhvillimit duhet të shoqërohen me qartësi mbi aktorët e përfshirë, vlerën e investimit dhe përfitimet për komunitetin, duke paralajmëruar reagim nëse konstatohet abuzim në emër të zhvillimit urban.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


