E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët kundërshtojnë projektit TID, paralajmërojnë përshkallëzim protestash
Lajme

Banorët kundërshtojnë projektit TID, paralajmërojnë përshkallëzim protestash

As takimi me Ramën nuk solli zgjidhje

Banorët e zonave të prekura nga projekti TID në Durrës kanë bërë publik qëndrimin e tyre pas një takimi të zhvilluar të shtunën me kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Në një deklaratë të përbashkët, banorët shprehen se gjatë takimit është konfirmuar se projekti do të vijojë pa ndryshime thelbësore dhe se zbatimi i tij konsiderohet i pashmangshëm nga autoritetet. Sipas tyre, alternativat e ofruara për qytetarët e prekur kanë qenë të kufizuara dhe të paqarta në aspektin ligjor dhe ekonomik.

Banorët pretendojnë se janë vënë përballë tre opsioneve kryesore: pranimi i një vlere shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja drejt zonave periferike të përcaktuara nga institucionet, ose akomodimi kolektiv në një objekt të vetëm që do të zgjidhej nga bashkia. Ata theksojnë se këto propozime nuk janë dakordësuar me komunitetin dhe nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për respektimin e të drejtave të pronës.

Në reagimin e tyre, qytetarët ngrenë shqetësime për mangësi procedurale dhe pasaktësi në listën e pronave të përfshira në procesin e shpronësimit. Sipas deklaratës, disa prona nuk janë përfshirë në mënyrë të rregullt në dokumentacion, ndërsa për të tjera mungon një vlerësim i plotë dhe i drejtë ekonomik.

Ata theksojnë se çmimi referencë i ofruar konsiderohet një kufi minimal dhe jo një vlerë reale tregu, ndërsa çdo zhvendosje eventuale duhet të realizohet vetëm me pëlqimin e pronarëve dhe mbi baza të qarta kontraktuale. Deri tani, sipas tyre, propozimet e bëra mbeten vetëm në nivel verbal dhe pa dokumentacion konkret.

Banorët kërkojnë shtyrjen e afateve ligjore të projektit, pezullimin e çdo veprimi për shembje dhe rishikimin e plotë ligjor të çdo rasti individual. Ata paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, reagimi qytetar do të intensifikohet përmes protestave dhe ndjekjes së çështjes në nivele institucionale dhe ndërkombëtare.

Në fund të deklaratës, komuniteti i prekur thekson se synimi i vetëm është garantimi i ligjshmërisë dhe respektimi i të drejtës së pronës për çdo familje të përfshirë në projekt.

Reagimi:

DEKLARATË PUBLIKE E BANORËVE TË PREKUR NGA PROJEKTI “TID DURRËS”
Në vijim të diskutimit të zhvilluar me përfaqësues institucionalë, Kryeministrin dhe Kryetaren e Bashkisë Durrës, ndiejmë detyrimin të bëjmë publike qëndrimin tonë si banorë të prekur nga projekti.
Gjatë takimit u deklarua qartë se projekti do të realizohet patjetër dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim në të.
Alternativat që na u ofruan janë:
⚫ të pranojmë një çmim shpronësimi (pak më të lartë);
⚫ të zhvendosemi në zona periferike të përcaktuara prej tyre;
• ose të mblidhemi të gjithë në një objekt të vetëm, të zgjedhur nga Bashkia.
Ne e kundërshtojmë këtë qasje.
Projekti ka mangësi dhe shkelje procedurale. Ka prona të papërfshira në listën e shpronimeve ose pa ekspertizë të saktë. Nuk mund të pranojmë një projekt me shkelje vetëm sepse është vendosur të zbatohet.
• Propozimet e Kryeministrit nuk janë dakordësuar me ne.
• Çmimi referencë është një çmim dysheme.
• Zhvendosja, edhe nëse pranohet nga banorët, duhet të bëhet me dakordësinë e vetë tyre.
• Deri tani, propozimet mbeten vetëm fjalë.
Kërkojmë:
– Shtyrje të afateve ligjore të ekzekutimit të projektit; – Pezullim të shembjeve;
– Shqyrtim ligjor të plotë të çdo rasti, një e nga një.
Në të kundërt, do të detyrohemi të përshkallëzojmë protestën dhe të intensifikojmë reagimin tonë publik dhe institucional. Komunikimet tona në nivel ndërkombëtar tashmë janë realizuar dhe do të vijojnë, në mbrojtje të të drejtave tona dhe të parimeve të shtetit ligjor.
Ne kërkojmë vetëm ligjshmëri dhe respekt për të drejtën tonë të pronës.
Banorët e Prekur nga Projekti “Tid Durrës”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.