Banorët e Fushë e Vogël në Maqellarë rregullojnë vetë rrugën
Akuza për neglizhencë ndaj Bashkisë Dibër
Banorët e fshatit Fushë e Vogël, në njësinë administrative Maqellarë, janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të rregulluar rrugën kryesore të fshatit, pas asaj që ata e cilësojnë si mungesë totale reagimi nga Bashkia Dibër.
Sipas banorëve, aksi rrugor prej vitesh ndodhet në gjendje të rënduar, me gropa të thella, çarje të asfaltit dhe segmente të pakalueshme, duke u kthyer në rrezik të përditshëm për automjetet dhe këmbësorët. Ata shprehen se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë institucioneve vendore, por pa marrë asnjë zgjidhje konkrete.
Të gjendur përballë neglizhencës institucionale, banorët kanë kontribuar me mjete financiare dhe punë fizike për të mbushur gropat dhe për të sistemuar segmentet më problematike të rrugës, në mënyrë që të paktën të mundësohet lëvizja normale e banorëve, nxënësve dhe mjeteve të emergjencës.
“E kemi bërë me forcat tona, sepse nuk mund të presim pafundësisht. Rruga ishte bërë e pakalueshme, sidomos në dimër dhe në ditë me shi,” shprehet një prej banorëve të zonës.
Ata theksojnë se mirëmbajtja e infrastrukturës rrugore është përgjegjësi direkte e pushtetit vendor dhe se situata në Fushë e Vogël tregon braktisje të zonave rurale nga ana e bashkisë. Banorët kërkojnë ndërhyrje të plotë dhe të qëndrueshme nga Bashkia Dibër, duke theksuar se zgjidhjet provizore që po bëjnë vetë nuk mund të zëvendësojnë investimet e domosdoshme publike.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia Dibër lidhur me këtë situatë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



