Banorët e Rrjollit fitojnë betejën e parë ndaj Bashkim Ulajt
GJKKO pranon ankimin e banorëve dhe urdhëron SPAK të hetojë kallëzimin
“Gjykata ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal”, banorët kundërshtojnë vendimin e SPAK për mosfillimin e hetimeve dhe ngrenë pretendime për pronësinë e tokës ku po zhvillohet projekti “Baks Bay”.
Banorët e Rrjollit kanë marrë një vendim në favor të kërkesës së tyre për nisjen e hetimeve lidhur me kallëzimin penal të depozituar prej tyre në SPAK.
Përmes përfaqësueses së tyre, Luçiana Koka, banorët bëjnë me dije se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar ankimin kundër vendimit të SPAK për mosfillimin e procedimit penal.
Sipas banorëve, gjyqtarja Flojera Davidhi ka vendosur që SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime mbi pretendimet e ngritura në kallëzimin e tyre.
Çështja lidhet me dokumentacionin e pronësisë dhe procedurat e ndjekura për projektin “Baks Bay”, për të cilin banorët kanë ngritur një sërë pretendimesh lidhur me mënyrën se si është përfituar dhe dokumentuar territori ku po zhvillohet projekti.
Pretendimet për pronësinë dhe dokumentet
Në kallëzimin e depozituar pranë SPAK, banorët e Rrjollit kanë kundërshtuar mënyrën se si janë trajtuar dokumentet që lidhen me pronësinë e tokës.
Ata pretendojnë se territori ku po ndërtohet projekti “Baks Bay” është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe kërkojnë që organet e drejtësisë të verifikojnë dokumentacionin, procedurat dhe personat që kanë pasur rol në këto veprime.
Pjesë e kallëzimit janë edhe pretendimet për falsifikim dokumentesh ndaj Fatmir Shpellzës.
Ndërkohë, ndaj kompanisë “Gener 2”, banorët kanë ngritur pretendime lidhur me ndërtimin e paligjshëm.
Me vendimin e saj, sipas banorëve, GJKKO ka rrëzuar qëndrimin fillestar për mosfillimin e hetimeve dhe i ka hapur rrugë verifikimit të pretendimeve të ngritura në kallëzimin penal.
Tashmë pritet që SPAK të regjistrojë procedimin dhe të kryejë veprimet hetimore për të verifikuar nëse pretendimet e banorëve qëndrojnë dhe nëse ka pasur shkelje në dokumentacionin e pronësisë apo në procedurat që lidhen me projektin “Baks Bay”.
Pretendimet e banorëve dhe personave të kallëzuar mbeten për t’u verifikuar nga organet e drejtësisë dhe nuk përbëjnë konstatime përfundimtare mbi përgjegjësinë penale të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




