Tensione në Rrjoll, banorët përplasen me policët me skafandra
Banorët e zonës së Rrjoll kanë dalë sërish në protestë kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në këtë zonë bregdetare. Situata është tensionuar gjatë përpjekjes së banorëve për të ndaluar punimet, duke bllokuar makineritë e kompanisë ndërtuese.
Protestuesit kanë tentuar të ndalojnë fadromat që po punonin në terren, duke deklaruar se toka ku po ndërtohet u përket familjeve të tyre prej brezash dhe se nuk do të lejojnë ndërhyrje në pronat që i konsiderojnë të trashëguara.
“Jeni në tokën tonë. Do t’i bllokojmë fadromat sepse janë tokat e gjyshërve tanë. Këtu do të jetojmë dhe këtu do të vdesim,” dëgjohen të thonë banorët gjatë protestës.
Në përplasje me forcat e rendit janë përfshirë edhe gra dhe vajza që i janë bashkuar tubimit. Ndërkohë, prania e policisë këtë herë është vënë re të jetë më e shtuar, me efektivët të pajisur me skafandra dhe mjete mbrojtëse.
Gjatë tensioneve dëgjohen edhe efektivë policie që komunikojnë se disa nga protestuesit duhet të shoqërohen në komisariat.
Protestat e banorëve kundër ndërtimit të resortit në Rrjoll vijojnë prej ditësh, ndërsa banorët shprehen të vendosur për të kundërshtuar projektin që, sipas tyre, po ndërhyhet në tokat e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



