Bardhi sulmon Ramën: E ka kthyer Kryeministrinë në zyrë avokatie
“Duhet të ishte i pandehur bashkë me Ballukun”
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka qenë i ashpër në foltoren e Kuvendit lidhur me çështjen e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga Gjykata.
Që në nisje të fjalës së tij, Bardhi kërkoi prezencën e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke theksuar se ai duhet të japë llogari për rolin e tij në skandalin ku është përfshirë Balluku. Sipas Bardhit, Rama duhet të ishte marrë i pandehur bashkë me Ballukun, duke u shprehur se kryeministri është “autori i vjedhjeve për tunelin e Llogarasë dhe për Unazën e Madhe”.
“Edi Rama sot ka vendosur ti fshihet Kuvendit. Ka një keqkuptim në përgjigjen që i keni kthyer grupit parlamentar. Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin për ndërhyrjen e tij në një çështje në hetim. Mbajtja në detyrë e një ministri të marrë të pandehur dhe ngritja e pretendimeve në kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese pa konsultuar Kuvendin është e papranueshme”, tha Bardhi.
Ai shtoi se kryeministri, duke dalë dhe mbrojtur Ballukun me video-selfie, ka përdorur një mjet presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke i shmangur përgjegjësisë para deputetëve.
“Ne kërkojmë që Rama të vijë dhe të shpjegojë motivin e ndërhyrjes së tij dhe pse ka shndërruar institucionin e Kryeministrit në avokatin e një të pandehure. Ai pranon përmes kërkesës së tij që është bashkëfajtor me Ballukun. Urdhëruesi i aferës së Llogarasë është Rama, dhe lidhjen me kompaninë turke e ka bërë ai”, përfundoi Bardhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



