Basha: Burimet më thonë se spitalet COVID kanë arritur kapacitetet, qeveria s’tregon sa teste janë serologjike dhe sa për koronavirus
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se gjendja për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus në vendin tonë është tepër e rëndë.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në Selinë Blu, Basha bëri fajtore qeverinë duke thënë se duhet që “një orë e më parë” të vë në zbatim planin me 5 pika që ka hartuar PD-ja.
Basha tha se sipas “burimeve të brendshme”, spitalet COVID 1 dhe 2 në vendin tonë kanë arritur kapacitetin e tyre.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Situata alarmante, qeveria nuk ka marrë asnjë masë. Vetëm gjoba, gjoba për të mbushur thesarin e zbrazur. Dje e dëgjuat me zë dhe e patë me figurë premtimin se do të kishte një paketë të tretë. Vendet e tjera, dhe ato të rajonit, kanë ofruar një paketë të katërt. Dje tha se nuk do të ketë një paketë të tretë. Vetëm e vetëm që paratë të shkojnë tek tenderat korruptivë dhe inceneratorët. Tani nuk tregojnë më sa teste bën ISHP dhe sa bën privati, sa janë teste serologjike dhe sa janë për COVID. Sepse Shqipëria ka numrin më të ulët të testeve. Sot dua ta nis edhe njëherë duke i kërkuar pa humbur kohë të nisë zbatimin e planit me 5 pika. Kush përgjigjet për qytetarët që zhyten në borxhe për të blerë ilaçe, por kur nuk i blejnë dot ilaçet dhe u kërcënohet jeta? Spitalet COVID kanë arritur sipas burimeve të brendshme kapacitetet e tyre, po kthehen nga qendra kurimi në qendra perhapje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



