Basha prezanton planin e PD për energjinë: Brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë…
Në fjalën e tij, lideri i opozitës, veçoi zotimin për heqjen e asaj që e quajti “taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti”.
Kryedemokrati u angazhua gjithashtu se kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet dhe angazhim nëse PD vjen në qeverisje të vendit.
“Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot”, u shpreh Basha.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
“Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot.
Jo vetëm që do të kurseni para, po edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër.
Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra: Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më i pakushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë.
Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik.
Përparësi reformave tona në këtë sektor do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës që sot ka kapur sektorin. Ky fenomen, sot po rrënon pasurinë kombëtare dhe po dëmton rëndë konsumatorët.
Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës.
Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot.
Basha u shpreh se partia e tij do të angazhohet për të ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Basha përsëriti edhe njëherë zotimin e tij, se nëse nuk përmbushen angazhimet, ai nuk do të kërkojë një mandat tjetër.
“Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Ne do të LIBERALIZOJMË tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve MUNDËSINË të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë.
Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.
Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundlësitë për të gjeneruar punësim.
Ne do te zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, siç e degjuam edhe nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim”, tha Basha në prezantimin e programit për energjinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



