E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bashkia Gramsh, pagoi 100 MLN lekë për  Nelsa Shpk që helmoi fëmijët me salmonelë
Lajme

Bashkia Gramsh, pagoi 100 MLN lekë për Nelsa Shpk që helmoi fëmijët me salmonelë

100 milionë lekë për ushqim me salmonelë: Skandali që po mbytet në heshtje nga Bashkia Gramsh dhe qeveria

Nga redaksia e Publik.al

Ndërsa 17 fëmijë janë tashmë të konfirmuar si të helmuar me salmonelë dhe dhjetëra të tjerë ndodhen nën mbikëqyrje mjekësore, Bashkia e Gramshit vazhdon të heshtë për një nga skandalet më të rënda të shpërdorimit të fondeve publike dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve. Plot 100 milionë lekë është vlera që Bashkia ka paguar për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve, një kontratë që sot rëndon mbi shpatullat e prindërve që përpiqen të shpëtojnë fëmijët nga pasojat e helmimit masiv.

Kompania me “flamur të kuq” që fiton tendera pa garë

Sipas dokumenteve të siguruara nga publik.al kontrata është lidhur në vitin 2023 mes Bashkisë Gramsh dhe kompanisë ‘Nelsa SHPK’, me afat deri në qershor 2025. Kjo kompani, e njohur për një historik të dyshimtë në prokurime publike, është shpallur fituese e një tenderi të klasifikuar me “flamur të kuq” nga OpenProcurement Albania, çka nënkupton mungesë transparence, konkurrencë të ulët dhe rrezik të lartë për abuzime.

Por pavarësisht kësaj, ushqimi i siguruar nga kjo kompani ka rezultuar vdekjeprurës për fëmijët, duke çuar në shpërthimin e një epidemie salmonele në institucionet publike arsimore të Gramshit.

Kryetari që “nuk di gjë”, por e monitoron kontratën

Kur u pyet nga gazetarët për vlerën e tenderit, kryebashkiaku Besian Ajazi, me një indiferencë shqetësuese, tha se “nuk kishte dijeni për shumën”, me pretendimin se “është vetëm kryetar bashkie”.

Kjo deklaratë e përçudnuar nuk vonoi të rrëzohej nga vetë ai, pasi në një moment tjetër të intervistës pranoi që kontrata është monitoruar nga bashkia. Pra, Ajazi ose gënjeu për të shmangur përgjegjësinë, ose pranoi që ka monitoruar një kontratë pa ditur vlerën e saj – të dyja skenarë që komprometojnë rëndë integritetin dhe përgjegjësinë e tij institucionale.

Kompani e dënuar për korrupsion, e ringjallur nga bashkitë socialiste

Skandali zgjerohet më tej kur zbulohet se kompania ‘Nelsa SHPK’, edhe pse sot figuron në pronësi të një të reje, është themeluar nga Nexhmedin Balla, një individ i dënuar në vitin 2016 për korrupsion me tenderat e ushqimit të burgjeve. Pas këtij dënimi, kompania kaloi në emër të vajzës së tij – një manovër e njohur për të shmangur penalizimet dhe për të vazhduar përfitimet nga shteti.

Pavarësisht këtij precedenti penal dhe paralajmërimeve të përsëritura për abuzime, ‘Nelsa SHPK’ vijon të fitojë rregullisht tendera nga bashkitë e majta, me qëllim furnizimin me ushqime për institucionet e fëmijëve – një fakt që ngre dyshime për një skemë klienteliste të mbrojtur politikisht.

Ministrja që publikon foto, ndërsa fëmijët shtrihen në spitale

Çështja merr përmasa akoma më tronditëse me sjelljen e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Pesë ditë pas shpërthimit të helmimeve, në vend që të dalë në terren, të kërkojë llogari dhe të informojë publikun, Manastirliu zgjedh të publikojë foto propagandistike në rrjetet sociale, duke promovuar rikonstruksionin e shkollës “Rilindja” në Gramsh.

Në të njëjtën kohë, në të njëjtin qytet, dhjetëra prindër protestojnë përballë bashkisë, ndërsa të tjerë enden spitaleve me fëmijët e tyre në krah – viktima të një sistemi të kalbur nga paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni.

Publik.al bën thirrje për hetim penal të menjëhershëm

Ky nuk është një incident ushqimor. Ky është një krim institucional. Bashkia e Gramshit ka nënshkruar një kontratë 100 milionëshe me një kompani të njohur për shkelje dhe korrupsion. Fëmijët janë helmuar. Përgjegjësit janë të njohur. Por drejtësia – si gjithmonë – është ende në kërkim.

Publik.al i bën thirrje SPAK, Prokurorisë së Elbasanit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të ndërhyjnë menjëherë. Hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te kompania, por të përfshijë edhe zyrtarët që e kanë lejuar dhe monitoruar këtë kontratë, përfshirë kryebashkiakun Besian Ajazi dhe strukturat vartëse.

Jeta e fëmijëve nuk mund të sakrifikohet në emër të tenderave të parapërcaktuar dhe klientëve politikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.