Bashkia Lushnje kallëzon penalisht kompanitë për ngordhjen e peshqve
Situata në rezervuarin e Kasharajt ka nxitur reagimin e institucioneve vendore, ndërsa Bashkia Lushnjë ka vendosur ta çojë çështjen në organet e drejtësisë për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e problematikës së krijuar.
Pas verifikimeve paraprake, bashkia ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Fierit ndaj bashkimit të kompanive që kanë marrë përsipër rehabilitimin e digës dhe të shkarkuesit të rezervuarit të Kasharajt.
Sipas Bashkisë Lushnjë, problematika është shfaqur në kuadër të punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar. Institucioni vendor pretendon se gjatë ndërhyrjeve nuk janë marrë masat e nevojshme për administrimin e ujërave të rezervuarit, çka ka sjellë pasoja të rënda për faunën dhe mjedisin e zonës.
Një tjetër element i ngritur nga bashkia lidhet me mënyrën e komunikimit gjatë zhvillimit të punimeve. Sipas saj, punimet ishin ndërprerë më 9 shkurt të këtij viti, me kërkesë të vetë kompanisë që po kryen rehabilitimin.
Në bazë të detyrimeve të përcaktuara në kontratë, sipas Bashkisë Lushnjë, përpara rinisjes së punimeve në muajin shtator, bashkimi i dy kompanive duhej të kishte vënë në dijeni institucionet publike dhe në mënyrë të veçantë Bashkinë e Lushnjës.
Bashkia pretendon se një njoftim i tillë nuk është bërë dhe se mungesa e masave të përshtatshme për menaxhimin e ujit gjatë punimeve ka ndikuar në situatën e krijuar në rezervuar.
Përmes kallëzimit penal, institucioni vendor kërkon që autoritetet kompetente të hetojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë personat përgjegjës për dëmtimin e faunës dhe pasojat mjedisore.
Bashkia Lushnjë shprehet se e kupton shqetësimin e krijuar në opinionin publik dhe pret që organet ligjzbatuese të sqarojnë sa më shpejt rrethanat e rastit dhe përgjegjësitë konkrete.
Çfarë po hetohet?
Në qendër të kallëzimit janë punimet për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit të rezervuarit të Kasharajt, menaxhimi i ujërave gjatë ndërhyrjes dhe respektimi i detyrimeve për njoftimin e institucioneve publike për rinisjen e punimeve.
Hetimi pritet të përcaktojë nëse këto veprime ose mosveprime kanë shkaktuar dëmtimin e rëndë të faunës dhe mjedisit në rezervuar.
Reagimi zyrtar:
Bashkia Lushnjë, pas verifikimit paraprak të informacioneve të lidhura me situatën në rezervuarin e Kasharajt, vendosi të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjore me qëllim zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe evidentimin e personit/personave që “prodhuan” problematikën serioze të ngordhjes së pesqëve në këtë rezervuar. Bashkia Lushnjë kallëzoi penalisht pranë Prokurorisë Fier, bashkimin e kompanive që kanë fituar të drejtën për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit në rezervuarin e Kasharajt.
Kallëzimi penal u bë pasi gjatë punës për rikonstruksionin e digës së dëmtuar të rezervuarit, firma që po kryen këto punime nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të faunës dhe të mjedisit në këtë ujëmbledhës. Në bazë të kontratës, pas ndërprerjes së punimeve ( kërkuar nga vetë firma) në 9 shkurt të këtij viti, bashkimi i dy kompanive që po rehabilitojnë digën e rezervuarit, duhet të kishte njoftuar institucionet publike dhe veçanërisht Bashkinë Lushnjë për rinisjen e punimeve në shtator, gjë e cila nuk ka ndodhur! Bashkia Lushnjë mirëkupton sensibilitetin publik të ngjarjes dhe shpreson që organet ligjore ta zbardhin atë sa më shpejt të jetë e mundur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



