E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bashkive u shtohen detyrimet për shërbimet sociale, por qeveria hesht për faturën financiare
Lajme

Bashkive u shtohen detyrimet për shërbimet sociale, por qeveria hesht për faturën financiare

Një projektligj i ri për shërbimet e kujdesit social pritet të ndryshojë mënyrën se si organizohen dhe financohen shërbimet sociale në vend, duke i ngarkuar bashkitë me përgjegjësi të reja administrative dhe financiare.

Sipas draftit, njësitë e qeverisjes vendore do të kenë një rol më të madh në identifikimin e nevojave sociale, hartimin e planeve vendore, organizimin e shërbimeve dhe garantimin e vazhdimësisë së tyre. Çdo bashki do të duhet gjithashtu të krijojë dhe administrojë Fondin Social Vendor, përmes të cilit do të financohen shërbimet ekzistuese dhe ato që do të shtohen në të ardhmen.

Reforma parashikon një orientim më të madh drejt shërbimeve në familje dhe komunitet, përfshirë shërbimet lëvizëse dhe kujdesin afatgjatë, ndërsa synohet reduktimi gradual i qendrave rezidenciale.

Por, përtej zgjerimit të përgjegjësive, mbetet e paqartë se sa do t’u kushtojë kjo bashkive dhe kush do ta përballojë faturën.

Relacioni shoqërues i projektligjit nuk jep një vlerësim konkret të kostos së reformës dhe as nuk përcakton se sa fonde shtesë do t’u nevojiten bashkive për të përmbushur detyrimet e reja. Dokumenti përcakton vetëm se shpenzimet do të mbulohen nga ministria përgjegjëse, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe programet përkatëse buxhetore.

Kjo lë të hapur një pikë kyçe: nëse bashkitë do të marrin financim shtesë nga buxheti i shtetit apo nëse do t’u duhet të përballojnë shërbimet e reja me fondet që kanë aktualisht.

Në praktikë, një transferim i përgjegjësive pa një përcaktim të qartë të burimeve financiare rrezikon të krijojë një barrë të re mbi buxhetet vendore, veçanërisht për bashkitë me kapacitete të kufizuara financiare.

Projektligji synon gjithashtu të zëvendësojë kuadrin aktual ligjor për shërbimet e kujdesit social, duke shfuqizuar ligjin nr. 121/2016. Ofruesve ekzistues të shërbimeve u jepet një periudhë 12-mujore për t’u përshtatur me kriteret dhe kërkesat e reja.

Në këtë mënyrë, reforma premton një model më të decentralizuar dhe më të orientuar drejt komunitetit, por pikëpyetja kryesore mbetet financimi.

Pa një faturë të qartë financiare dhe pa përcaktuar paraprakisht burimet që do të shoqërojnë përgjegjësitë e reja, bashkitë rrezikojnë të marrin përsipër më shumë detyrime pa pasur garanci se do të kenë fondet e nevojshme për t’i përmbushur ato.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.