Belgjika-Shqipërisë: Merrni mbrapsht të burgosurit, na jepni paratë
Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, nisën të hënën një mision diplomatik tre-ditor në Shqipëri dhe Kosovë, me synim forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe migracionit.
Vizita fokusohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve belge, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, ku të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor luajnë rol të rëndësishëm për autoritetet belge.
Një burg për të huajt jashtë Belgjikës?
Përballë krizës së mbipopullimit, qeveria belge po shqyrton mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë vendit, ku të dërgohen shtetas të huaj të dënuar, të cilët nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë.
Gjatë kësaj vizite, ministrat Verlinden dhe Van Bossuyt do të zhvillojnë bisedime eksploruese në Shqipëri dhe Kosovë mbi këtë ide.
Në mënyrë të veçantë, Shqipërisë do t’i kërkohet të pranojë kthimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në burgjet belge. Aktualisht, në sistemin penitenciar belg ndodhen 307 shqiptarë, nga të cilët 253 janë pa leje qëndrimi.
“Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë qëndrimi në Belgjikë mund ta vuajnë dënimin në vendin e tyre të origjinës, kjo do të thotë se dënimi zbatohet siç duhet, ndërkohë që lehtësohet presioni mbi sistemin tonë penitenciar,” deklaroi ministrja Verlinden.
Ndarja e pasurive kriminale dhe traktate të reja
Vizita përfshin edhe diskutime për një letër qëllimi, që do të lejojë ndarjen e pasurive të sekuestruara si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika. Sipas kësaj marrëveshjeje të mundshme, një pjesë e pasurive të sekuestruara në Shqipëri ose Kosovë do të kthehen në buxhetin belg.
Në Kosovë, do të diskutohen edhe hapat drejt një traktati dypalësh për ndihmën juridike, për të forcuar bashkëpunimin afatgjatë në fushën gjyqësore.
Ballkani Perëndimor, rajon kyç për sigurinë belge
Ministrja Verlinden theksoi rëndësinë strategjike të rajonit në luftën e Belgjikës kundër krimit të organizuar. Ajo tha se:
Kosova po shfaqet gjithnjë e më shpesh në dosjet penale belge si qendër për pastrim parash, trafik njerëzor dhe kontrabandë armësh.
Shqipëria mbetet partnere kyçe në luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht për shkak të rrjeteve kriminale shqiptare aktive në portin e Antwerp-it.
“Ballkani Perëndimor është tashmë një rajon kyç në luftën tonë kundër krimit të organizuar. Dua të ndërtoj mbi besimin e ndërsjellë që është krijuar falë bashkëpunimit të ngushtë gjatë viteve të fundit,” – përfundoi ministrja belge.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



