Beqaj u prangos për 500 mijë euro fatura, po KRIFCA për 33 MLN
Naim Noka
Në bujqësi u vodhën 33 milionë euro fonde
Arrestimi i Ilir Beqajt për abuzime me fondet e BE-së duket se është një kambanë alarmi për të gjithë strukturat e administratës shqiptare, veçanërisht për ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, emri i së cilës është përfshirë në një skemë të ngjashme.
Ndërsa Beqaj është në qeli për abuzimin me 500 mijë euro, Krifca akuzohet për shpërdorimin e rreth 33 milionë eurove nga fondet e BE-së për bujqësinë, në skemën e njohur si IPARD. Zyra Evropiane e Kundër Mashtrimit (OLAF) ka zbuluar një mori shkeljesh gjatë kohës kur Krifca drejtonte Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), dhe ka dorëzuar një dosje voluminoze në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Krifca përballet me një mal me telashe, duke përfshirë prova të shumta dhe dëshmi që dokumentojnë abuzimet masive.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë disa herë se kërkon “kokën” e Krifcës, duke ushtruar presion për një hetim të thellë dhe të pavarur. Sipas burimeve, BE po ndjek me kujdes hetimet përmes të dërguarve të saj në Tiranë. Në mars, drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, i është dërguar një letër-kujtesë nga OLAF lidhur me kallëzimin penal kundër Krifcës. Tani topi është në portën e SPAK.
OLAF ka publikuar një raport ku zbardh detajet e aferës. Në raportin vjetor, OLAF zbulon se gjatë hetimit u konstatua se fermerët ishin të detyruar të ndanin një përqindje të madhe të grantit të tyre me kompanitë e konsulencës, të cilat ndërmjetësonin me AZHBR. Gjithashtu, dokumenti thekson parregullsitë gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të projekteve.
Parregullsitë e zbuluara në fondet e BE-së për bujqësinë në Shqipëri përbëjnë një shumë prej 33 milionë eurosh, që është 2.5 herë më e lartë se shuma prej 13 milionë eurosh e shpërdoruar nga gjashtë shtete të tjera të Ballkanit: Turqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Rumania. Nga shuma totale prej 47 milionë eurosh e parregullsive të gjetura në shtatë shtete të Ballkanit, 71% i përkasin Shqipërisë dhe 29% janë ndarë midis gjashtë vendeve të tjera.
Për shkak të këtyre parregullsive dhe skemave mashtruese, BE ka bllokuar fondet e IPARD për Shqipërinë, duke i dhënë një goditje të rëndë sektorit të bujqësisë, i cili tashmë përballet me mungesa të mëdha financimesh të brendshme. Ky veprim i BE-së thekson nevojën urgjente për reforma të thella dhe përgjegjësi të lartë në administrimin e fondeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



