Berisha: Agasi rrezik për NATO-n
Të dhënat e TIMS ua dha armiqve.
Berisha: Agasi kishte akses në informacione të pakufishme, arrestimi mund të jetë i negociuar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta lidhur me rolin e Ergys Agasit dhe informacionet që, sipas tij, ky i fundit ka pasur në dispozicion.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se Agasi ka pasur akses në informacione të pakufishme dhe se aktiviteti i tij mund të ketë përbërë rrezik edhe për NATO-n.
“Informacionet që ka disponuar Agasi kanë qenë të pakufishme. Ka qenë një rrezik për NATO-n. Të gjitha të dhënat e sistemit TIMS ia ka dhënë armiqve të NATO-s dhe kartelit të Troplinëve”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare, përfshirë Europol dhe Eurojust, që të angazhohen në monitorimin e hetimeve që lidhen me Agasin.
“Ndaj edhe thirrja ime për organizatat ndërkombëtare, Europol, Eurojust, është të angazhohen në monitorimin dhe ridimensionimin e hetimit”, tha ai.
Berisha pretendoi gjithashtu se Agasi ka pasur ndikim të fortë mbi kryeministrin Edi Rama, ndërsa përsëriti kërkesën e tij për dorëheqjen e kreut të qeverisë.
“Ka nën kontroll të plotë Edi Ramën dhe e mbyll këtë me thirrje për dorëheqjen e Ramës, sepse nuk është gjë tjetër veçse një Agas në karrigen e kryeministrit”, deklaroi Berisha.
“Arrestimi mund të jetë i negociuar”
Një tjetër pretendim i ngritur nga Berisha lidhet me mundësinë që arrestimi i Agasit të ketë qenë i negociuar.
“Në rast se ky është arrestim i negociuar, s’ka diskutim që është i negociuar nga Edi Rama”, tha Berisha.
Ai e krahasoi situatën me çështjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke akuzuar kryeministrin se ushtron ndikim mbi SPAK-un.
“Dhe më pas bëhet një proces si në rastin e Beqajt, që i thonë dënohesh me kaq, pavarësisht se në anën tjetër janë 800 milionë koncesione të shëndetësisë dhe nuk thuhet asnjë fjalë. Pra, Edi Rama arrin, nëpërmjet kontrollit që ka mbi SPAK-un, ta përsërisë”, deklaroi ai.
Berisha përmendi edhe ish-deputetin Alqi Bllako, duke pretenduar se “kush paguan më shumë ngjitet më lart”.
Berisha ngre dyshime edhe për Ballukun
Në vijim të deklaratës, Berisha ngriti edhe hipotezën e një përplasjeje të mundshme brenda mazhorancës, duke përmendur zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Ka shumë mundësi që Rama bëri marrëveshje për të mbyllur dosjen. Ndërhyrje e Ballukut kundër Ramës? Nuk përjashtohet, por nallanet dhe pantallonat e shkurtra më shumë flasin për tezën e parë”, u shpreh ai.
Berisha vijoi me akuza edhe ndaj drejtuesve të institucioneve dhe përmendi Linda Ramën në lidhje me AKSHI-n.
Sipas tij, nëse ekzistojnë përplasje të brendshme për mbrojtjen politike të Ballukut, pasojat mund të shkojnë përtej kryeministrit.
“Pra, nëse ti lëkundesh në mbrojtjen ndaj Lubisë, atëherë nuk do shkosh vetëm ti, por do jetë edhe Linda, patronazhistja e AKSHI-t, që do të ndjekë”, deklaroi Berisha.
Pretendimet e kreut të PD-së janë akuza politike dhe, në mungesë të provave apo konfirmimeve nga institucionet kompetente, nuk përbëjnë fakte të provuara gjyqësisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



