E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Besa e thyer dhe mallkimi i 83 mandateve të kryeministrit mbret
OP-ED

Besa e thyer dhe mallkimi i 83 mandateve të kryeministrit mbret

Naim Noka

I dashur mbret,

83 mandatet nuk janë mallkim. Janë përgjegjësi. Mallkimi është mungesa e llogaridhënies.

Në demokraci, pushteti nuk është mallkim. Është kontratë me qytetarët. Sa më i madh pushteti, aq më e madhe përgjegjësia. Ti i fitove 83 mandate me administratën dhe, sipas kritikëve të tu, me para pa hesap nga bandat, duke vënë nën kontroll të plotë procesin ligjvënës, ndërsa qeverisjen dhe emërimet në administratë i ke pasur ekskluzivitet vetëm për veten, Belën dhe “kryeministrin në hije”, Ergys Agasin.

Pas protestës që po shkon në ditën e 55-të, po qurravitesh për peshën e pushtetit.

O mbret, shqiptarët, pas 13 vitesh qeverisje, të shohin si shkakun e çdo problemi. Sepse ti administron çdo fond dhe e drejton vendin prej katër mandatesh radhazi. Kë tjetër duhet të shohin? Edhe pse, sipas teje, fajin e kanë gjithmonë Saliu dhe opozita e tij, jo qeverisja. Prej tetë vitesh bashkitë drejtohen në shumicë nga njerëzit e tu. E ke katandisur postin e ministrit si atë të një drejtori ferme në kooperativën e Enverit. Askush nuk i njeh, madje as ata vetë nuk duket se e kuptojnë pse janë ministra, përveç faktit se dinë të vjedhin bukur.

Pas 13 vitesh në pushtet nuk ekziston më alibia e trashëgimisë. Çdo rrugë e pambyllur, çdo spital me mungesa, çdo aferë tenderash, çdo koncesion skandaloz, çdo emërim klientelist dhe çdo dështim administrativ mban vulën e qeverisjes tënde. Ti je besëthyer me rilindasit dhe me pensionistët që të votuan, me hir ose pa hir. U ke bërë padrejtësi si demokratëve, ashtu edhe socialistëve. Nuk besoj se këtij vendi do t’i vijë më një kryeministër-mbret pas largimit tënd. Kjo është logjika elementare e përgjegjësisë politike.

Edhe më paradoksale është ankesa për pritshmëritë e larta të qytetarëve. Kush ua krijoi këto pritshmëri? Ishe vetë ti që premtove “Rilindjen”, “Shqipërinë që duam”, “shtet evropian”, “administratë model”, “shëndetësi falas”, “luftë kundër korrupsionit”, “drejtësi të re” dhe standarde evropiane. Kur qytetarët kërkojnë pikërisht ato që u janë premtuar, kjo nuk quhet padrejtësi. Quhet kërkesë për mbajtjen e fjalës. Ose, për ta thënë më saktë, besëthyerje politike. Madje edhe mashtrim.

Po e pranon shumë vonë se arroganca mund të bëjë që edhe një e vërtetë të mos dëgjohet. Ky është ndoshta i vetmi pohim me të cilin është e vështirë të mos biesh dakord. Por arroganca nuk ka qenë problem komunikimi. Ka qenë metodë qeverisjeje. Ti e bëre buxhetin e katër mandateve “rrush e kumbulla”. Kot që përpiqesh ta ndreqësh tani. Protestuesit i dinë mirë këto gjëra. E kemi parë në raport me gazetarët kritikë, me protestuesit, me banorët e zonave ku u ke vënë tritol, me opozitën e “aleatit” tënd Berisha, me institucionet e shtetit që, sipas kritikëve, i komandonte Gysi në njërën anë dhe Bela me oligarkët në anën tjetër.

Nëse sot ekziston mosbesim ndaj statistikave zyrtare, kjo nuk lidhet vetëm me mënyrën si komunikohen ato. Lidhet me hendekun që qytetarët perceptojnë mes shifrave optimiste dhe realitetit të përditshëm: kostos së jetesës, emigrimit, çmimeve të banesave, korrupsionit të perceptuar dhe pabarazisë ekonomike.

Qeveria jote, o mbret, ka të gjithë pushtetin, kontrollon shumicën parlamentare dhe administron vendin për më shumë se një dekadë. Nuk mund të paraqitesh tani, pasi të erdhi “veza e flamingos”, si viktimë e suksesit tënd elektoral.

83 mandatet janë vërtet mallkim, sepse qeveria jote ka humbur aftësinë për të pranuar përgjegjësinë, ndërsa çdo kritikë e sheh si keqkuptim dhe çdo dështim e shpjegon, sipas stilit tënd “Pinok”, me perceptimin e qytetarëve.

Besën ta dhanë qytetarët e këtij vendi. Besa nuk provohet me fjalime. Provohet me mbajtjen e fjalës së dhënë. Diçka që ti, për fat të keq, as nuk e ke pasur dhe as nuk ke pasur ndonjë lidhje me të në premtimet e tua politike.

Ka gjithmonë kohë që një burrë mbi të gjashtëdhjetat, pasi ka kaluar gjysmën e jetës duke qeverisur, të mos turpërohet keq. Ti e di se pas verës mund të vijë një vjeshtë me shira e rrebeshe. Ndaj hap sytë, se kurrë nuk i dihet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.