Kruja mbrëmë digjej, Gonxhja e ‘mbretit’ në FB krihej

Naim Noka
Kruja mbrëmë digjej, ndërsa ministri Blendi Gonxhja krihej me propagandë në Facebook.
Qytetarët nuk po i kërkonin ministrit leksione mbi “ekonominë e eventeve”. Po i kërkonin sesi një shtet, kur vendi merr flakë, të ketë kapacitetet për ta shuar zjarrin.
Që bilanci mund të ishte katastrofik për Krujën, nuk ka nevojë të na e thotë sot kryeministri dhe Gonxhja e tij.
Nuk më bën më përshtypje mënyra se si një ministër u përgjigjet qytetarëve në profilin e tij, të cilët kërkonin llogari për paratë publike të emergjencave civile, 4.3 milionë eurot e koncertit të Kanye West. T’i quash qytetarët kritikë “injorantë”, “bullistë” apo “turmë haxhiqamilistësh”, më e pakta është arrogancë pushteti që buron nga shefi Rama dhe imitohet nga “copat e mishit”, nga lart-poshtë, në të gjitha nivelet e pushtetit dhe administratës.
Gonxhja, që krihej mbrëmë pas mesnate në Facebook, nuk kupton ose bën budallain dhe nuk i përgjigjet pyetjes kryesore: A ka shteti avionë, helikopterë, zjarrfikëse, personel dhe kapacitete për parandalimin e zjarreve? Të paktën të hynit në negociata sekrete me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin për avionët zjarrfikës.
Situata e zjarreve në Krujë, por edhe çdo situatë tjetër zjarresh në Shqipëri, mund të ishte zgjidhur me më pak dëme, më shpejt dhe me më pak tragjizëm për komunitetin.
Zjarret në Shqipëri gjatë verës duhet të ishin prioritet dhe emergjencë kombëtare.
Mbreti ose “shpëtimtari” ynë i “The Albania Files” po zgjidh problemin e shuarjes së zjarreve?!
Del në video dhe fushata duke u tallur sy më sy me qytetarët për flota avionësh që do jenë gati në fundvit dhe fillimvere.
Po të kishim dy avionë të mëdhenj zjarrfikës, situata as në Krujë, as në Mallakastër e as në Delvinë nuk do ishte kaq skandaloze.
Gonxhja i mbretit ka para pa hesap për pistën e “Formula 1” në Elbasan, për inceneratorë imagjinarë… plehrat e qyteteve mbulohen në varreza gjigante me dheun e kullave.
Gonxhja i mbretit ka para për anijet TEC “Tiger 1” dhe “Tiger 3”, që paguajmë edhe parkingun e tyre miliona euro.
Mbreti harxhoi rreth 1 miliard euro për AKSHI-n e Ergys Agasit, Ermal Beqirin dhe prestanomet e familjes së tij. Ermali dhe Gysi na marrin të dhënat, na vjedhin eurot. Marrin njerëz peng. Blejnë kështjella historike në Francë. Blejnë jahte luksoze. Blejnë avionë për qejf. Por Gonxhja i mbretit nuk ka as mjete e pajisje për zjarrfikësit, lëre pastaj për avionë.
Paratë për qoka 50 milionëeuroshe i sajojnë nga tualeti i vilës, kur bëhet fjalë për Tunelin e Llogarasë.
ARRSH-ja ka para pa hesap për rrugët me kilometrin më të shtrenjtë në botë, por me cilësinë më skandaloze.
Gonxhja i mbretit paratë e emergjencave i përdor për lloj-lloj Kanye West-sh, por për zjarret nuk kemi para!
Kjo është kriminale sepse është vetë kriminale mendësia që ka mbreti i Gonxhes për ta relativizuar çdo të keqe që po kalon vendi për fajet, korrupsionin dhe hajdutërinë e tij. Madje zjarri bie dhe në Spanjë, Francë, dhe pa pikë turpi kërkon t’i ndihmojmë flotën e zjarrfikësve me kazma e lopata e pagure plastike që kemi ne për zjarret. Pastaj historitë e zjarrit të Krujës mbrëmë bëhen dhe filma. Deri në emergjencën e radhës nga zjarri ju premtoj se shumë shpejt Shqipëria do të ketë avionët zjarrfikës. Tashmë kemi në dorë dy avionët e Ermal Beqirit që do t’i shesim dhe të blejmë një për të shuar zjarret.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



