E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Opozita e Berishës, protesta dhe koha e limituar për  Ramën KM
OP-ED

Opozita e Berishës, protesta dhe koha e limituar për Ramën KM

Market-i politik, edhe pse prej kohësh mendohej se ishte ndarë mes Ramës e Berishës, jo vetëm e la opozitën e Sali Berishës pa shesh, por e spostoi në modelin 2:0 të konferencave të shtypit.

Opozita të paktën dilte në foltore para zyrës së Ramës dhe mobilizonte një herë në muaj simpatizantët, mbante vendin që tani, prej 44 ditësh, ia zuri protesta e Flamingove.

Ia zuri ajo që tashmë njihet si “Revolucioni Flamingo”, një lëvizje që, pavarësisht emrit, ngjyrave, personazheve dhe debateve që ka prodhuar, arriti të bëjë brenda pak javësh atë që opozita tradicionale nuk e bëri dot për vite: të krijojë një problem real politik për Edi Ramën.

Dhe këtu nis historia e vërtetë.

Edi Rama nuk do të ishte aspak i shqetësuar për “Revolucionin Flamingo” nëse përballë do të kishte vetëm aktorët që shohim çdo mbrëmje në shesh. As për mbështetësit e tyre, edhe pse janë të shumtë dhe përfaqësojnë një masë të madhe qytetarësh të pakënaqur.

Rama ka menaxhuar protesta shumë më të dhunshme. Ka përballuar opozitën me molotovë. Ka kaluar kriza politike, përgjime, skandale, ministra në burg, zëvendëskryeministra dhe ministra nën hetim, si dhe dosje që, në çdo vend normal europian, do të kishin rrëzuar disa qeveri.

Por këtë herë ka një ndryshim thelbësor.

Edi Rama nuk e pa protestën që po vinte.

Sipas burimeve pranë mazhorancës, deri në ditën e katërt të protestës, Kryeministria nuk kishte informacion të qartë për përmasën, organizimin dhe potencialin e lëvizjes. Një dështim i rëndë për një pushtet që prej vitesh ka ngritur një makineri të jashtëzakonshme kontrolli politik, administrativ dhe informativ.

Ndërkohë, shërbimi informativ i Vlora Hyseni kushedi ku pinte verë me Gysin deri në orët e para të mëngjesit, edhe pse harxhohen miliona euro për këtë institucion, që duhet t’i çonte çdo mëngjes informacion Kryeministrit dhe Presidentit Bajram Begaj.

Pikërisht në ato katër ditë u krijua çarja.

Dhe brenda një muaji, kreditet politike të Edi Ramës ranë pikiatë.

Një sondazh i publikuar edhe nga një media pranë qeverisë tregonte se rreth 40 për qind e të pyeturve ishin të gatshëm të votonin një parti të re. Rreth 50 për qind mbeteshin te partitë tradicionale, ndërsa Partia Socialiste nuk kalonte pragun e 34 për qindëve.

Sondazhet e brendshme të Ramës, sipas burimeve pranë mazhorancës, paraqesin një panoramë edhe më problematike.

Rama e ka kuptuar rrezikun.

Prandaj, strategjia e tij sot nuk është të mundë protestën. Është të mos lejojë që protesta të prodhojë një faktor të ri politik.

Divide et impera. Përça dhe sundo.

Të ndajë sheshin nga opozita. Të ndajë Berishën nga protestuesit. Të ndajë grupet e reja nga njëri-tjetri. Të prodhojë konflikte, dyshime dhe luftë për protagonizëm.

Sepse paradoksi i madh është ky: sot Berisha dhe opozita tradicionale kanë mbetur politikisht pa shesh dhe rrinë e vëzhgojnë nga konferencat bajate të shtypit.

Sheshi ekziston. Protesta ekziston. Pakënaqësia ekziston.

Por ato nuk kontrollohen prej opozitës.

Ky është një problem për Berishën. Por është një problem shumë më i madh për Ramën.

Me Berishën, Rama di të luftojë. E njeh kundërshtarin. Ia njeh gjuhën, mekanizmat, dobësitë dhe kufijtë. Prej më shumë se një dekade, Rama e ka ndërtuar një pjesë të pushtetit të tij mbi përplasjen me Berishën.

Me një lëvizje të pakontrolluar politikisht, ekuacioni ndryshon.

Por ankthi më i madh i Edi Ramës, sipas burimeve pranë mazhorancës, nuk gjendet vetëm në sheshin përpara Kryeministrisë.

Ai lidhet me bindjen se koha e tij politike po kufizohet edhe nga jashtë Shqipërisë.

Në qarqet pranë qeverisë ekziston perceptimi se procesi i dobësimit të Ramës nuk është vetëm produkt i protestës së brendshme, por se mbi të po mbivendosen interesa dhe aktorë shumë më të fuqishëm: nga vende të rëndësishme të Bashkimit Europian deri te lobet me ndikim në Shtetet e Bashkuara.

Dalja publike e Dua Lipës kundër Edi Ramës shihet, sipas këtij interpretimi, vetëm si fillimi. As këngëtari Kanye West, që mori një shuk me euro nga taksat e popullit më të varfër në Europë nuk e shpëtoi nderin e Kryeministrit, por ia katranosi edhe më shumë imazhin, duke marrë si kusur edhe një kallëzim në SPAK.

Burime të Publik Media flasin për një fushatë që mund të marrë përmasa më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, me përfshirjen e emrave të njohur të Hollywood-it dhe showbiz-it kundër projekteve të investimeve në Zvërnec dhe Sazan.

Nëse kjo ndodh, beteja nuk do të jetë më shqiptare.

Rasti i Shqipërisë dhe marrëdhënia e qeverisë Rama me projektet e lidhura me familjen Trump mund të përdoren si armë në debatin politik amerikan. Sidomos në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, ku çdo çështje që prek familjen Trump mund të marrë dimension kombëtar në SHBA.

Në një skenar të tillë, Shqipëria rrezikon të shndërrohet nga një vend i vogël në Ballkan në një dosje të vogël brenda një lufte shumë të madhe amerikane.

Dhe Edi Rama mund të gjendet pikërisht në mes të saj.

Kjo do të ishte sfida më e rëndë ndërkombëtare e karrierës së tij politike.

Vizitat e shpeshta në Paris dhe afrimi publik me Emmanuel Macron lexohen në Tiranë edhe si përpjekje për të krijuar një digë politike europiane. Por, sipas burimeve pranë mazhorancës, klima është shumë më e rëndë sesa paraqitet publikisht.

Vetë Rama, sipas tyre, beson se në Europë po luhet një lojë e koordinuar presioni.

Emmanuel Macron mund të të fërkojë shpatullat dhe të të kapë për dore, kundrejt disa interesave dhe projekteve ekonomike. Por gjermani Friedrich Merz është i ftohtë dhe nuk toleron autokraci e lojëra pashallarësh.

“Fituesi” i 83 mandateve nuk rrëzohet domosdoshmërisht me një goditje. Izolohet. Dobësohet. I reduktohen aleancat. I ngushtohet hapësira politike. Derisa largimi të paraqitet jo më si kërkesë e kundërshtarëve, por si zgjidhje e krizës.

Në qarqet politike, edhe pse nuk flitet hapur, ka nisur të përmendet mundësia e një qeverie të re, të drejtuar përsëri nga Partia Socialiste, por pa Edi Ramën. Një qeveri që do të vijonte mandatin deri në vitin 2029 dhe do të merrte përsipër një paketë reformash të thella politike dhe institucionale.

Nuk kanë rëndësi emrat. Mund të jetë Elisa Spiropali, Ditmir Bushati apo ndonjë figurë tjetër.

Por emri është pjesa më pak e rëndësishme e historisë.

E rëndësishme është se, për herë të parë pas shumë vitesh, në Tiranë nuk diskutohet vetëm se kush mund ta mundë Edi Ramën në zgjedhje.

Po diskutohet Shqipëria pas Edi Ramës.

Kjo është goditja më e rëndë politike për një kryeministër që e ka ndërtuar pushtetin mbi idenë e pazëvendësueshmërisë. Njësoj si Berisha, që mendonte se kishte opozitën, por tani nuk ka as sheshin.

Protestuesit kanë sheshin, por ende nuk kanë një strukturë politike të konsoliduar.

Partia Socialiste ka pushtetin, por për herë të parë po përballet seriozisht me pyetjen nëse mund ta ruajë atë pa Edi Ramën.

Ndërsa Rama ka ende qeverinë, administratën, një makineri të fuqishme politike dhe thuajse të gjithë medien e Tiranës. Por tani nuk ka më luksin që kishte një muaj më parë.

Kam parë që të parët, bizneset dhe analistët që ka ushqyer prej vitesh me zarfa, nuk dinë si ta mbrojnë më. Nuk mund të flasësh për grupin e WhatsApp-it të Fatos Lubonjës, sepse dihet: ai ka dekada që është kundër Ramës. Por rrjeti i Sorosit, shoqatat mediatike apo turli OJF-sh kanë pasur bekimin e Edi Ramës.

Në fakt, ajo nga e cila nuk e shpëtojnë dot të gjithë mbrojtësit në publik, në media dhe në kafene është se Edi Rama ka humbur gjënë më të çmuar për një njeri që ka 13 vjet në pushtet: bindjen se koha punon vetëm për të.

Tani ora ka filluar të ecë në drejtim të kundërt.

Dhe koha e Edi Ramës mbret-kryeministër duket, për herë të parë, e limituar.

Tani as Sara, as Zegjineja nuk bëjnë dot gjë për ta ndalur kohën.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.