Shteti nuk mund të negociojë me bandat:
Policia, prokuroria dhe gjykata duhet të jenë të pamëshirshme
Naim Noka
Ngjarja e rëndë në një resort në Vlorë nuk është thjesht një konflikt mes njerëzish me para dhe pushtet. Nëse konfirmohet se një grup personash të armatosur ka hyrë në një biznes, ka kërcënuar pronarin dhe i ka kërkuar 5 milionë euro, atëherë kemi të bëjmë me një sfidë të hapur ndaj shtetit.
Nuk është një skenë filmi. Është Shqipëria e vitit 2026, ku një grup kriminal dyshohet se mblidhet, armatoset, udhëton nga një qytet në tjetrin, hyn në një resort dhe kërkon miliona euro, sikur të ishte një administratë paralele që vendos taksa, gjoba dhe dënime.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, pronari i resortit kërkoi ndihmë pasi persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Gjatë ndjekjes, një automjet me tre persona u aksidentua dhe brenda tij u gjet një pistoletë. Dy persona mbetën të dëmtuar, ndërsa Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e të gjithë të përfshirëve.
Këto janë faktet e bëra publike deri tani. Ka ardhur koha që edhe Rama të heqë dorë nga bandat dhe banditët, të cilët i përdor për vota, ndërsa ata e përdorin për zotërim territoresh, gjoba ndaj bizneseve dhe dhunë.. Nuk po flasim për bandat tradicionale, por më e forta është se banditët nga burgu kanë ndikim në biznese dhe sektorë të caktuar ekonomikë. I forti i Fierit, i njohur me nofkën “Ben Qimja”, i shpallur në kërkim nga SPAK-u, ka zaptuar me banditë të vegjël një hotel në Dhërmi. Ata veprojnë në emër të Ben Qimes. Te gjithë e dinë se në Elbasan është konaku i Suel Çelës dhe policia nuk hyn dot! Po keshtu në Durrës dhe në zona të tjera të vendit.
Nëse një person në kërkim lëviz i lirë, organizon njerëz të armatosur dhe dyshohet se vendos gjoba milionëshe në bregdet, problemi nuk është më vetëm personi në kërkim. Problemi është shteti që nuk e gjen, strukturat që nuk e ndalojnë dhe rrjeti që i mundëson të sillet sikur kontrollon territorin.
Një i kërkuar nuk mund të ketë më shumë informacion se Policia. Nuk mund të ketë më shumë njerëz në dispozicion se strukturat ligjzbatuese. Nuk mund të kalojë qytete, postblloqe dhe akse kombëtare me persona të armatosur, ndërsa autoritetet kujtohen për ekzistencën e tij vetëm pasi shpërthen konflikti.
Bandat nuk u ndërtuan brenda një nate. Ato u rriten teksa Policia mbylli sytë, teksa Prokuroria vononte dhe toleronte, me dosjet që dobësohen dhe kur gjykatat japin vendime sipas rentës që nuk përputhen me rrezikshmërinë e autorëve. Bandat u rriten kur të fortët e bandave krijuan lidhje me politikën, biznesin dhe segmentet e korruptuara të institucioneve. Ata po Mbijetojnë sepse dikush i paralajmëron, dikush i mbron dhe dikush kujdeset që drejtësia të mos mbërrijë kurrë deri te kreu i grupit.
Prandaj, nuk mjafton kapja e personave që ndodheshin në automjet. Duhet zbardhur kush e organizoi grupin, kush dha urdhrin, nga erdhën armët, kush siguroi automjetet, ku u mblodhën dhe cilët persona i ndihmuan të lëviznin. Duhet hetuar çdo telefonatë, kamerë sigurie, qelizë telefonike dhe lidhje financiare.
Nëse është kërkuar vërtet shuma prej 5 milionë eurosh, hetimi duhet të ndjekë edhe konfliktin ekonomik që fshihet pas saj. Askush nuk mbledh më shumë se dhjetë persona për një debat të zakonshëm. Një mobilizim i tillë tregon organizim, hierarki dhe bindje se forca e armëve mund ta zëvendësojë ligjin.
Policia duhet t’i kapë. Prokuroria duhet t’i hetojë deri në fund. Gjykata duhet t’i ndëshkojë pa mëshirë ligjore, pa dallim emri, pasurie, lidhjeje politike apo përkatësie krahinore.
Bandat e Fierit, Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës apo Tiranës dhe Kamzës, janë të gjitha njësoj përballë ligjit. “I forti” është i fortë vetëm kur shteti është i dobët, i korruptuar ose bashkëpunëtor.
Në një shtet normal, një person në kërkim fshihet nga Policia. Në Shqipëri po krijohet përshtypja se qytetarët dhe biznesmenët duhet të fshihen nga personat në kërkim.
Ky është kufiri që nuk mund të pranohet. Nëse shteti nuk e rimerr territorin nga bandat, bandat do të vazhdojnë të vendosin gjoba, të ndajnë zona dhe të përcaktojnë se kush punon, kush paguan dhe kush largohet.
Ngjarja në Vlorë duhet të jetë prova e fundit për institucionet. Jo një tjetër dosje që hapet mes zhurmës dhe mbyllet në heshtje. Çdo autor, organizator, financues dhe mbrojtës duhet të dalë përpara drejtësisë.
Ligji duhet të godasë njësoj të gjithë. Pa përjashtim dhe pa kompromis. Sepse aty ku shteti fal bandat, dënimin e paguajnë qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



