E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BIRN: Gjinushi e mbushi Akademinë e Shkencave me socialistë në pension
Lajme

BIRN: Gjinushi e mbushi Akademinë e Shkencave me socialistë në pension

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi të hënën një projektligj të propozuar nga dy deputetë të Partisë Socialiste që parashikon zgjatje të mandatit të kryetarit aktual të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ish-kryetar i një partie politike.BIRN 

Projektligji që parashikon ndryshime në ligjin e 2019-ës “Për Akademinë e Shkencave” u prit me kritika nga deputetët e dy krahëve politikë, për formulimin që lidhej me mandatin e kryetarit të ASH-së dhe për mospërfshirjen e kostos financiare për sistemin e ri të pagave që propozohet.

Propozimi thotë se termi “por jo radhazi” në ligjin aktual, i cili lejon që një kryetar të marrë jo më shumë se një mandat vijues, të shfuqizohet. Heqja e këtij togfjalëshi i hap rrugën rizgjedhjes së Gjinushit pasi mandati i tij mbaron këtë vit.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, e quajti nismën një qëllim për të ndryshuar mekanizmin e marrjes dhe mbajtjes së kontrollit të pushtetit brenda ASH-së.

“Ndryshimet që propozoni bëhen për të reduktuar korpusin vendimmarrës në akademi dhe synojnë zgjatjen e mandatit për kryetarin aktual”,- iu drejtua ai nismëtarit të projektligjit, deputetit socialist Ismet Beqiraj.

Bylykbashi iu referua ndryshimeve që lidheshin me heqjen e të drejtës së votës për akademikët që jetonin jashtë vendit.

Ai e pyeti Beqirajn nëse propozimet kishin ardhur pas një konsultimi me vetë akademinë dhe, -“specifikisht si një propozim nga vetë Gjinushi”- shtoi ai.

Beqiraj tha se synimi ishte për të rregulluar disa dispozita aburde dhe për të rregulluar funksionimin e akademisë dhe se nuk kishte arsye politike dhe nuk i shërbenin një individi.

“Gjinushi e ka të drejtën për të pasur dy mandate dhe me ligjin aktual, ne nuk po i shtojmë gjë, po heqim atë bishtin …’po jo radhazi’”- tha ai, duke shtuar se votimin e bën asambleja e ASH-së. “Iku koha kur politika fuste duart”- shtoi ai.

Kritika për formulimin pati dhe nga relatori socialist Eduart Ndreca, i cili sugjeroi që në vend të përcaktimit 2 mandate radhazi, të zgjatej koha e mandatit në mënyrë që ASH të mos përfshihej në një proces zgjedhor çdo 4 vjet.

“Ideja e rikandidimit të bjerë dhe të zgjatet mandati”- propozoi ai. Po ashtu Ndreca tërhoqi vëmendjen e nismëtarëve për mosparaqitjen e kostove financiare të projektit, ku ndër të tjera propozohen ndryshime të sistemit të pagave për akademikët.

Komisioni i Ligjeve vendosi që sugjerimet e deputetëve t’i kalonin komisionit përgjegjës, të Medias dhe Edukimit.

Maxhoranca socialiste deklaroi në vitin 2018 se do të reformojë Akademinë e Shkencave, një institucion të kohës së komunizmit, sepse kështu ishte e nevojshme.

Por ligji i ri solli zgjedhjen e Gjinushit, një politikani në pension, si kryetar të akademisë. Presidenti i kohës Ilir Meta refuzoi të mbajë ceremoninë e betimit të Gjinushit duke vënë në dukje faktin se ai është një politikan dhe jo shkencëtar. Socialistët ndryshuan ligjin në mënyrë që të mundësonin betimin e Gjinushit në kuvend dhe jo në presidencë.

Akademia e Shkencave u mbush pas kësaj me deputetë socialistë në pension, të cilët papritur filluan të prezantojnë veten si akademikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.