BKH në kërkim të hetuesve të rinj, qindra kandidatë të interesuar
Qindra persona kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një garë nga e cila pritet të përzgjidhen vetëm 40 hetues të rinj.
Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundon sot në orën 16:00, ndërsa pas mbylljes së procesit kandidatët do t’i nënshtrohen fazave të parashikuara të përzgjedhjes.
40 hetuesit që do të dalin nga kjo garë do t’i bashkohen strukturës së BKH-së dhe do të jenë pjesë e ekipit që punon në funksion të hetimeve të SPAK-ut. Akomodimi i tyre parashikohet të bëhet pranë godinës së re të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Aktualisht, BKH-ja ka në përbërje 60 hetues. Me përfundimin e procesit të rekrutimit dhe përzgjedhjen e 40 kandidatëve të rinj, numri i hetuesve pritet të arrijë në 100.
Procesi i aplikimit është vetëm hapi i parë, pasi kandidatët do të kalojnë në fazat e mëtejshme të testimit dhe vlerësimit, përpara se të përcaktohet lista përfundimtare e 40 personave që do të bëhen pjesë e BKH-së.
Rritja e numrit të hetuesve synon të forcojë kapacitetet e kësaj strukture dhe t’i japë SPAK-ut më shumë burime njerëzore për zhvillimin e hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



