BKH po heton 7 denoncime, për skandalin e shitjes së vendeve te Shkolla e Magjistraturës

Më 26 prill 2024, Shoqata e Avokatëve Anti- korrupsion, ka bërë kallëzim penal në SPAK ndaj Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, me akuzën “Për Korrupsion, mashtrim e falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre”, lidhur me pranimet e studentëve për prokurorë e gjyqtarë.

Për shkak të kohës së afërt, të fillimit të vitit mësimor me kandidat të futur klientelisht, SPAK ka regjistruar e filluar menjëherë çështjen, duke angazhuar Byronë Kombëtare të Hetimit, për të bërë hetim të përshpejtuar mbi bazën e fakteve konkrete.

Në hetim është futur ankesa publike e shumë kandidatëve për Shkollën e Magjistraturës, të cilët kanë faktuar, se pas nisjes së testit, pedagogët tërhoqën fletët e provimit dhe ndërruan përmbajtjen e tezës, me urdhër të drejtorit Arben Rakipi.

Po hetohet fakti, që testet nuk u korrigjuan me pajisjen elektronike “ScanTron”, sepse drejtori Arben Rakipi futi në listën e fituesve, kandidatët e lidhur me zyrtarë të lartë të politikës, qeverisë, shtetit, drejtësisë, oligarkëve e madje eksponentëve të botës së krimit.

Mbështetur në këtë akuzë, po hetohet fakti që në fazën e parë të provimit, drejtori Arben Rakipi shpalli 79 fitues, por pas protestës së kandidatëve të skualifikuar padrejtësisht dhe reagimit të medias, lista shkoi në 121 fitues, ndërsa pas mesnatës së datës 24 prill u shtuan 10 emra të tjerë.

Por në SPAK janë depozituar dhe 7 denoncime konkrete kandidatësh, për shitje të vendeve te Shkolla e Magjistraturës; realizuar si pazare nga sekserët e drejtorit Arben Rakipi dhe disa anëtarëve xhambazë të Këshillit Drejtues, si Maksim Haxhia.

Këto denoncime, fillimisht iu dërguan Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, por këshilli i drejtuar nga Arben Rakipi dhe me zv/kryetar Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, i shpërfilli denoncimet e tyre, madje këshilli mbrojti skandalin e falsifikimit të listës së fituesve.

BKH ka gjetur indicie korrupsioni dhe po heton blerjen e vendeve të pranimit të studentëve për prokurorë e gjyqtarë në Shkollën e Magjistraturës, duke skeduar emra doganierësh, tatimorësh, krye policësh, familjarë biznesmenësh e trafikantësh, që kanë paguar mijëra Euro për tu futur në listën fituese.

Deri tani, 4 agjentë të BKH që po bëjnë këtë hetim të përshpejtuar, kanë marrë në pyetje 7 denoncuesit dhe 3 përfaqësues të kandidatëve që publikuan skandalin e provimit të falsifikuar.

Ndërsa pas tyre, do kërkohet informacion zyrtar nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, dhe pyetet Arben Rakipi si person i kallëzuar penalisht nga Shoqata e Avokatëve, me akuzën “Për Korrupsion, mashtrim, falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre”.

Nëse hetimi, do vërtetojë këto akuza, të cilat janë mbështetur në fakte konkrete, SPAK do kërkojë pavlefshmërinë e provimit, të listës së fituesve dhe pezullimin nga detyra të drejtorit Arben Rakipi, që realizoi falsifikimet e pazaret.

Publikuar nga Publik Media